Pacolli kërkoi kontributin italian në zhvillimin e Kosovës

Para ndërmarrësve italianë diskutohen reformat e qeverisë të inicuara prej Zëvendëskryeministrit Pacolli

Sot, në Universitetin “Telematik Pegaso” të Romës, në prani të ndërmarrësve nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë italiane, ministri i jashtëm dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ilustroi disa nga pikat e forta të mjedisit kosovar të biznesit, ashtu dhe reformat e iniciuara prej tij.

Takimi i punës u hap nga ambasadori, Giulio Terzi, ish ministër i jashtëm i Italisë dhe President nderi i Dhomës së Tregtisë Itali-Kosovë. Ai, e vlerësoi praninë e ministrit Pacolli dhe eksperiencën globale të tij në ndërmarrësi si garanci për ata njerëz të biznesit italian, që duan të investojnë në Kosovë.

Numri dy i qeverisë e përshkroi situatën fiskale të Kosovës si nga më të mirat në rajon, duke shtuar këtu dhe garancitë e biznesit, stabilitetin bankar, mbështetjen e një qeverie dinamike si ajo e  Haradinaj, etj.

Më pas, ministri Pacolli ilustroi disa prej reformave të iniciuara prej tij në fushën e Zonave të Lira, në sektorin minerar, në fushën e bujqësisë, etj.

Në këtë drejtim, ai kërkoi “kontributin italian në rritjen e Kosovës, një vend me ardhmëri të sigurt dhe të ndritshme”, siç e quajti ai.

Biseda e hapur me pyetje përgjigje u orientua edhe në tema të ndryshme të ekonomisë globale, për të cilat të pranishmit ishin të interesuar të dinin opinionin e, z. Behgjet Pacolli, nga pozita e ndërmarrësit me eksperiencë në pjesë të ndryshme të botës për shumë vjet./21Media

Back to top button