Pacolli: Mitrovica drejtë zhvillimit të sigurt ekonomik

Ai ka thënë se me aprovimin e statutit të Trepçës do të përfundojë keqpërdorimi 20 vjeçar i këtij aseti strategjik

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli duke komentuar aprovimin e statusit të Trepçës si shoqëri aksionare, ka thënë se Trepça do të ketë dyert e hapura për investitorë vendorë dhe të huaj dhe përfundimisht do të përfundon keqpërdorimi 20 vjeçar i këtij aseti strategjik.

Ai ka shkruar në Facebook se tash është me rëndësi që së bashku të punojmë intensivisht në zhvillimin e kësaj ndërmarrje.

“Në orët e hershme të mëngjesit, Kuvendi i Kosovës aprovoi statutin e Trepçës si shoqëri aksionare që do ti hapë rrugë riaktivizimit të këtij gjiganti ekonomik. Me një statut të definuar, Trepça do të ketë dyert e hapura për investitorë vendorë dhe të huaj dhe përfundimisht do të përfundon keqpërdorimi 20 vjeçar i këtij aseti strategjik”, ka shkruar ai.

Sipas Pacollit tash është me rëndësi që të punohet intensivisht në zhvillimin e kësaj ndërmarrje. “Unë do të sigurohem që të punoj ngushtë me Ministrin Lluka për të përshpejtuar proceset zhvillimore në mënyrë që Mitrovica të bëhet përsëri qyteti kryesor ekonomik në Kosovë e rajon”, ka thënë Pacolli.

Ministri i Punëve të Jashtme në fund uroi për aprovimin e statutit të Trepçës.

“Urime Minatorë! Urime Kryetar Bahtiri! Urime tërë Kosovës!”, uroi Pacolli.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në orët e para të dielës, Propozim-statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”./21Media

Back to top button