Pagesa për 32 zyrtarët serbë është ndaluar
Me 74 vota për janë miratuar rekomandimet për raportin e auditimit lidhur me pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se tashmë është ndërprerë pagesa për 32 zyrtarëve të komunitetit serb si zyrtarë të ish mbrojtjes civil për të cilët kishte gjetur edhe raporti i Auditorit se nuk janë prezent në punë.
Arsyetimin për votim të këtyre rekomandime e ka dhënë edhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami.
Ndër rekomandimet që u hodhën në votim ishte edhe porosia me kohë e librave që të mos ketë vonesa për shpërndarje te nxënësit.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami kritikoi ministrat se nuk po iu përgjigjen për raportim para komisioneve të Kuvendit. Ajo me theks të veçantë e përmendi edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Pas kësaj reagoi vetë ministrja Nagavci duke thënë se çdoherë është përgjigjur sa herë që është ftuar për raportim në Komisionet Parlamentare.
E duke folur për raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të vitit 2020, Nagavci tha se tashmë disa nga këto rekomandime kanë nis të zbatohen.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se këtë raport e mbështesin por kërkojnë menaxhim më të mirë të financave publike nga përgjegjësitë në MASHT./21Media