Para takimeve në Bruksel, Vuçiq takohet me ambasadoren e Kinës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot ambasadoren e Kinës në Beograd, Chen Bo para nisjes për në Bruksel, për ta njohur atë me situatën në Kosovë dhe me atë rast theksoi se “pret që BE-ja dhe partnerët perëndimorë të ndikojnë në Prishtinë” në mënyrë që të përmbushë obligimet e veta, njoftuan nga zyra e Presidentit të Serbisë.
Presidenti Vuçiq theksoi se ka kërkuar që ambasadorja Chen të takohet sot për ta njohur atë me situatën në Kosovë para takimit në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Presidenti Vuçiq tha se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe se kërkon që Prishtina të përmbushë atë që është rënë dakord.
“Për nëntë vjet nuk u ka shkuar në mendje të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe. Presim që BE-ja dhe partnerët perëndimorë të ndikojnë në Prishtinë që të përmbushë me seriozitet dhe përgjegjësi obligimet e saj, siç ka bërë Serbia”, tha presidenti Vuçiq, duke theksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ambasadorja Chen theksoi se Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe se mbron gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.
“Kina i kupton dhe i mbështet të gjitha kërkesat legjitime të palës serbe, përfshirë ato në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ligjore të popullit serb në Kosovë”, tha ambasadorja Chen.
Presidenti Vuçiq theksoi se Kina gjithmonë do të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
“Ne besojmë se kjo është e vetmja politikë që është në përputhje me normat juridike ndërkombëtare. Gjithçka tjetër shkakton probleme, paqëndrueshmëri dhe turbulenca në botë, për të cilat askush nuk ka nevojë”, tha presidenti Vuçiq./21Media

Back to top button