Paraburgim për 15 të arrestuarit në aksionin “Gropa”

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër 15 të pandehurve në kohëzgjatje prej një muaji për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge ose veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Vendimi është marrë të sot ndaj të pandehurve, 6 prej të cilëve janë shtetas turq.
“Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve shtetas të Kosovës dhe të Turqisë”, thuhet në komunikatë.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale dhe se ky dyshim mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesëmbëdhjetë të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Më 23 maj është realizuar aksioni “Gropa” me ç’rast ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 70 kilogramë substancë narkotike./21Media

Back to top button