Paraburgim për burrin që kanosi gruan e tij

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurit E.E., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Kanosja”.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se “me datë 14 gusht, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare, si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme, i pandehuri me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, në atë mënyrë derisa e dëmtuara ishte kthyer në shtëpi, i pandehuri e kap për flokë dhe ia shtrëngon krahun duke e tërhequr zvarrë për flokë e për krahu e duke i thënë fjalë ofenduese “dil nga shtëpia” dhe vazhdon me ofendime, me të cilat veprime e dëmtuara pëson lëndime trupore të përshkruara sipas raporteve mjekësore”.
“Nga data 14 gusht e në vazhdimësi i pandehuri E.E., e kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarës “kam me të mbyt ty dhe vëllain, kam me ia q.. nënën, me mua nuk e keni lehtë dhe nuk ka me ju dal mirë” me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./21Media

Back to top button