Paraburgim për burrin që u kap me mbi 5 kg drogë

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar 30 ditë paraburgim R.B i cili dyshohet për “posedim të substancave narkotike”.
Mëngjesin e së dielës R.B bashkë me një person tjetër janë ndaluar nga policia në fshatin Llabjan, e që dyshohet se po transportonin marihuanë. Mirëpo të dy kishin ikur, por policia kishte arritur ta arrestonte R,B por jo edhe personin i cili ishte bashkë me të. Ai vazhdon të jetë ende në arrati.
Me këtë rast policia ka gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 185 gram marihuanë dhe 925 euro.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.01.2022, rreth orës 08:00 minuta, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, i pandehuri së bashku me të dyshuarin N. N., pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Të njëjtit nuk i binden urdhrave të patrullës policore dhe ikin me shpejtësi, ashtu që gjatë ndjekjes së veturës nga ana e zyrtarëve policor, arrijnë të ndalojnë veturën dhe të arrestojnë të pandehurin R.B., ndërsa i dyshuari N.N. arrit të largohet nga vendi, por gjatë ndjekjes i njëjti e hedh çantën me substancë narkotike, duke ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Në komunikatë thuhet edhe se “Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa i dyshuari N.N. vazhdon të jetë në arrati.
Andaj sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, pasi që po të gjendet në liri mund të i ikë ndjekjes penale./21Media

Back to top button