​Parakalimi i Ushtrisë dhe Policisë, mijëra qytetarë i përcjellin nga afër

(Lajm i përditësuar)
​Parakalimi i Ushtrisë dhe Policisë, mijëra qytetarë i përcjellin nga afër
Ushtria dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Pas fjalimeve kryesore në manifestimin qendror të shënimit të shtetësisë, presidentja Osmani i dha dritën e gjelbër ushtarëve që të fillojnë parakalimin.
Shumë qytetarë ishin mbledhur për ta shikuar maratonën ushtarake dhe policore.
​Blinken uron Kosovën, përparimi është i jashtëzakonshëm
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë. Në letrën e tij, Blinken ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këta 15 vjet, duke shprehur mirënjohje për rreshtimin e saj krah vendeve perëndimore në rastin e Afganistanin dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Blinken.
Letra e plotë:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës në përvjetorin tuaj të pesëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.
Këtë vit, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan partneritetin tonë të fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane. Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj.
Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohje eventuale reciproke në qendër, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë.
​Hovenier: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka përcjellur një urim me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Kam pasur privilegjin dhe nderin të jem pjesë e historisë sonë të përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit”, ka shkruar Hovenier në Tweet.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Kam pasur privilegjin dhe nderin të jem pjesë e historisë sonë të përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen tonë të hershme dhe të qëndrueshme për dhe partneritetin me popullin kosovar. Kosova15”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
​Haradinaj në Prekaz uron 15-vjetorin e pavarësisë: Jasharajt ndryshuan historinë tonë të re
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj ka thënë se familja Jashari ndryshoi rrjedhën e historisë së re të Kosovës.
“Në Prekaz, aty ku buron liria. Nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re.
Kosovë, urime 15-vjetori i Pavarësisë!”, ka shkruar ai në Facebook.
​Nura uron 17 shkurtin: Na mungojnë ish-krerët e UÇK-së
Në ditëlindjen e 15 të pavarësisë së Kosovës, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, kanë bërë edhe përfaqësuesit e Komunës së Skenderaj.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura derisa uroi festën të gjithëve, tha se edhe në këtë festë vërëhet mungesa e ish-krerëve të UÇK-së.
“Më lejoni të shprehi urimet më të mira edhe atij që shpalli pavarësinë, presidentit Hashim Thaçit, kryeparlamentarit Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të gjithë atyre që sot janë atje padrejtësisht”, tha ai, duke shtuar se ata po mungojnë edhe në këtë festë.
​Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë mesazh urimi me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka dërguar mesazh urimi me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Nikolla mes tjerash ka thënë se si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qëndisur” teksti dhe nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi.
“Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetarit Glauk Konjufca si edhe popullit të Kosovës”, ka shkruar Nikolla.
“ Si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qëndisur” teksti dhe nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi. Pavarësia e Kosovës është vijimi logjik i Kosovës së lirë. Kosovës e lire është rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar. Rezultat i rezistencës dhe përpjekjeve paqësore të popullit dhe udhëheqësve kosovarë për të sensibilizuar ShBA, BE dhe vendet e tjera të botës së qytetëruar. Të gjithë këta faktorë bënë të mundur çlirimi dhe liria e Kosovës të bëhej provë e ndërgjegjes së botës së lirë ndaj një populli të shtypur. Kuvendi i Shqipërisë është në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës për luftën çlirimtare të UÇK, integrimeve evro-atlantike, rritjes së njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dialogut të këshilluar nga ShBA e BE dhe ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe rritjes së kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë në rajon, kontinent e më gjerë. Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarit Glauk Konjufca si edhe popullit të Kosovës”, ka shkruar Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
​Arifi: 17 Shkurti-kurora e rrugëtimit plot sakrificë
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi në 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ka shkruar se në këtë ditë të madhe për kombin tonë, aspiratë e përbashkët mbetet rruga plot sfida drejt integrimit në bashkinë europiane për një shtet të konsoliduar e demokratik.
Ai ka shkruar në Facebook se sot Kosova jonë shënon 15 vjetorin e pavarësisë së saj, të cilën e shpalli nëntë vjet pasi doli nga lufta me pasoja materiale e humbje të mëdha jetësh në njerëz.
“Në kremten e kësaj dite, me emocion të veçantë kthehemi në ditët e zorshme e kujtojmë shkrepjet e fundit për familjen Jashari e Haradinaj, e familjet e mëdha që ranë për Kosovën e që u bënë lajm i lirisë. Kjo ditë, është edhe e Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e shokëve të luftës që sot e kësaj dite gjykohen padrejtësisht se punuan fort për të mbrojtur pragun e shpisë dhe për t’i falë popullit të vet lirinë. Falë tyre, sot Kosova me mburrje feston 15 vjet shtet i lirë. Në këtë ditë të madhe për kombin tonë, aspiratë e përbashkët mbetet rruga plot sfida drejt integrimit në bashkinë europiane për një shtet të konsoliduar e demokratik! Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Të fala nga Presheva”, ka shkruar ai.
​Abdixhiku: Të mirët tanë lartësuan shtetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Të mirët tanë lartësuan shtetin, të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm. Të gjithë bashkë i bëmë vendin – të barabartë mes popujve të lirë. Kjo ëndërr e ky rrugëtim duhet të vazhdojë me po aq përkushtim. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme. Urime dita e pavarësisë Kosovë! Të paqim përgjithmonë!”, ka shkruar Abdixhiku.
“Sot kujtojmë aktin themeltar të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, prirja e të cilit ishte udhërrëfim drejt shtetit tonë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve e gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të rënë në altarin e lirisë”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku.
Xhaçka: Ditë krenarie dhe nderimi për ata që punuan e luftuan për Kosovën
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka uruar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se është ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë është arritur në këto 15 vjet.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës vëllezërve e motrave tona në Kosovë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Një ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë është arritur në këto 15 vjet dhe për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën e pavarur”, tha shkruar ajo.
Xhaferi uron Kosovën për 15 vjetorin e pavarësisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me anë të një postimi në Facebook shprehu urimet e tij të përzemërta për Kosovën në 15-vjetorin e pavarësisë, duke e cilësuar vendimin historik, të përgjegjshëm, të shumëpritur dhe tej mase të guximshëm të qytetarëve kosovarë dhe Republikës së Kosovës.
“Shpreh urimet e mia të përzemërta me rastin e 15-vjetorit të marrjes së vendimit historik, vendimit aq të përgjegjshëm por njëherazi edhe të shumëpritur dhe tej masë të guximshëm të qytetarëve kosovarë dhe Republikës së Kosovës! Vizioni i burrështetasve Rugova, Jashari, largpamësia, mençuria dhe vullneti i palëkundshëm për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të pavarur ishte rruga që e trasuan dhe plot 15 vite e ndjekin me devotshmëri gjeneratat e reja, duke e kompletuar imazhin e Republikës së Kosovës bashkëkohore, demokratike, progresive dhe paqedashëse. I gëzofsh edhe shumë përvjetorë Kosovë, në paqe, mirëqenie dhe reflektim pozitiv dhe të respektueshëm në rajon dhe më gjerë!”, thuhet në urimin e Xhaferit.
Rama uron pavarësinë e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka postuar një fotografi dhe shkurt ka shkruar “Gëzuar Pavarësinë”.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
15 vjet shtet
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.
Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.
Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.
Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë:
– Mbledhja festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës (08:00)
– Ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës (08:20)
– Nderime të Monumenti i të Pagjeturve (08:30)
– Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (08:45)
– Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (08:50)
– Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” (Prekaz, ora 09:50)
– Interpretim i Filarmonisë së Kosovës (Kuvendi i Kosovës, ora 10:30)
– Seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Ora 11:00)
– Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë (Ora 11:20)
– Nderime te Monumenti “Heroinat” (Ora 11:30)
– Parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës (Prishtinë, ora 12:00)
– Ndezja e 1133 qirinjve para Teatrit Kombëtar në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 16:15)
– Pritja shtetërore nga Presidentja e Republikës së Kosovës (Ora 17:00)
– Koncerti i pavarësisë (Salla 1 Tetori, ora 20:15)
Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova (Velani, ora 09:15)
– Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve
– Seanca solemne e Kuvendit të Kryeqytetit (Kuvendi i Prishtinës, ora 10:00)
Komuna e Prizrenit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Landovicë, ora 9:30)
– Pritja ceremoniale e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj (Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prizrenit (Shtëpia e Bardhë, ora 11:00)
– Koncert me SHKA-të (Sheshi në Shatërvan, ora 13:00)
– Interpretimi “Lahuta e Malcisë” Vlora Nikçi (Abi Çarshia, ora 16:00)
– Koncert me rok grupe muzikore nga Prizreni (Sheshi në Shatërvan)
Komuna e Gjakovës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe pranë lapidarit “Shokët e lirisë” (Qendra e qytetit, ora 10:00)
– Këshilli Veprimit Rinor Lokal shfaq dokumentar dhe një koncert akustik (Zyrat e KVRL, ora 11:00)
Komuna e Podujevës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Mbahen homazhe (Ora 09:30)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Podujevës, ora 10:30)
Komuna e Rahovecit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Pritja e mysafirëve nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi(Komuna e Rahovec, ora 09:00)
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Ora 10:00)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Rahovecit (Kuvendi Komunal Rahovec, ora 11:00)
– Pjesëmarrja e 35 nxënësve në ceremoninë e ndezjes së qirinjve në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 14:00)
Komuna e Ferizajt shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Ora 10:00)
– Akademi solemne dhe koncert festiv (Teatër, ora 11:00)
– Galeria e Arteve dhe SHAF “Zef Kolombi” hapin ekspozitë kolektive (Galeria e Arteve, ora 18:00)
Komuna e Deçanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal Deçan, ora 10:00)
– Homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan (Ora 11:00)
– Përurimi i Muzeut Etnologjik në Deçan (Kulla e Zymer Himës, ora 11:30)
Komuna e Gjilanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal Gjilan, ora 10:00)
– Homazhe në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve (10:00)
– Koncert për fëmijë nga kolegji “Don Bosko” dhe “Dancing House” (Teatri i qytetit, ora 11:00)
– Koncert festiv nga SHKA “Qypërlinjtë e Roshnikut” nga Berati (Teatri i qytetit, ora 17:00)
Komuna e Pejës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Ceremonia solemne e nënshkrimi të marrëveshjes së binjakëzimit të Pejës me qytetin Eger të Hungarisë (Kuvendi Komunal, ora 09:00)
– Mbledhja solemne e Asamblesë Komunale (Ora 10:00)
– Ceremonia e ngritjes së flamurit në qendër të qytetit shoqëruar me spektakël “Paraglide” dhe homazhe tek lapidarët e dëshmorëve të kombit (Ora 11:00)
– Manifestimi qendror në Galerinë e Arteve (Ora 12:00)
– Vizitë shtegut Kulturor dhe monumenteve të trashëgimisë së Pejës (Ora 13:00)
Komuna e Vitisë shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Vitisë , ora 09:30)
– Bëhen homazhe pranë varrezave të dëshmorëve (Ora 10:00)
– Mbahet koncert festiv (Salla e koncerteve, ora 11:00)
Komuna e Mitrovicës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Mitrovicës, ora 10:00)
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Shipol), si dhe vizitë Kompleksit Përkujtimor në Prekaz dhe Kullës së Isa Boletinit në Boletin (Ora 11:00)
– Program artistik (Sheshi “Isa Boletini”, ora 12:00)
– Koncert i rok-grupit “Elita 5” (Sheshi “Isa Boletini”, 14:00)
– Ekspozitë, shpallja e fituesit të çmimit “Kadri Kadriu” (Qendra e kulturës “Rexhep Mitrovica, ora 17:00)
Komuna e Kamenicës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Kamenicës, ora 09:30)
– Homazhe tek varrezat e dëshmorëve (Ora 09:50)
– Ndezja e 1133 qirinjve para në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 16:15)
– Fenerët e Pavarësisë – Ndezja e 15 fenerëve nga të rinjtë e KVRL (Bulevardi i qytetit, ora 20:00)
Komuna e Vushtrrisë shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Bëhen homazhe për dëshmorët e kombit (Ora 09:00)
– Akademi solemne për Ditën e Pavarësisë (Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina”, ora 13:00)
Komuna e Lipjanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Bëhen homazhe në nderim të dëshmorëve (Sheshi “Adem Jashari”, ora 10:00)
– Fëmijët parakalojnë në sheshin “Adem Jashari” (Ora 10:30)
Komuna e Malishevës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës (Kuvendi Komunal Malishevë, ora 10:00)
– Nderime para shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari (Ora 11:00)
Aktivitete të tjera me rastin e Ditës së Pavarësisë:
Me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NISMA Socialdemokrate mban tubim festiv “Festojmë me Ju!” (Sheshi “Skënderbeu”, ora 14:30)
Përfaqësuesit e PSHDK bëjnë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” (Prekaz, ora 10:00)
Përfaqësuesit e PSHDK bëjnë homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Velani, ora 11:00)

Back to top button