Paralajmërohet largimi me çdo kusht i barrikadave

Largimi i barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës, do të bëhet me çdo kush, ka thënë Enver Dugolli, nënkryetar i  Komisionit Parlamentar për sigurinë, meqë siç tha ato po e cenojnë lirinë e lëvizjes. Dugolli foli për RTV21 në kohën kur barrikadat i kanë shtrirë në pjesë të ndryshme të veriut të Kosovës.
“Nëse nuk largohen ato barrikada ne do t’i heqim edhe me mënyra tjera dhe shteti do t’i përdorë të gjitha mekanizmat që ka në dispozicion dhe t’i liron rrugët për qarkullim sepse në të kundërtën i bie që të nënshtrohemi para bandave dhe grupeve kriminale”.
Tensionet në veri u përshkallëzuan në fundjavë pas shpërthimeve në disa objekte të Komisioneve Zgjedhore Komunale dhe pas plagosjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës nga armë zjarri. Shok bomba u hodhën edhe mbi njësinë e EULEX-it.
Partitë në opozitë ndërkohë i bënë thirrje Qeverisë Kurti që të mos hyjë në konflikt në veri të vendit. Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Serbia ka tendencë për të destabilizuar Kosovën.
“Kosova duhet të shmang në çdo mënyrë të mundshme në koordinim me partnerët ndërkombëtar konfliktet në veri të vendit. Ne i dimë tendencat e Serbisë për ta destabilizuar vendin. Këto tendenca nuk janë as të tashme as nuk do të ndalen në të ardhmen për shkak se ata nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës”.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë se është i domosdoshëm koordinimi me faktorët ndërkombëtar të sigurisë, por nënvizoi se përgjegjësia i bie institucioneve kosovare të sigurisë.
“Mendoj që qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive t’i ndërmarrë hapat dhe veprimet konformë kushtetutës dhe ligjit. Qeveria duhet të sigurojë qetësi, rend dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës në veri dhe të mos pres vetëm nga KFOR-I dhe EULEX-i por duhet t’i kryejë detyrat që i takojnë”.
Për njohësin politik, Fidan Ukaj qëllimi kryesor i, siç thotë ai, strukturave kriminale serbe është destabilizimi i vendit.
“Po duket se qëllimi i gjithë kësaj katrahure nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Vuçiqi është projekt që tashmë i kanë dy qeveritë, pra projekti franko-gjerman, mirëpo siç duket është një projekt që do të jetë në favorin e Kosovës dhe që gjë e tillë nuk i konvenon Vuçiqit dhe Serbisë”.
Autoritetet në Serbi e kanë akuzuar Prishtinës zyrtare për përshkallëzim të situatës dhe kanë kërkuar rikthim të forcave serbe në Kosovë, sipas, siç thonë, Rezolutës 1244./21Media

Back to top button