Paralajmëron Morrison, West mund të mos lejohet të hyjë në Australi për shkak të vaksinës!
Artisti Kanye West do të duhet të vaksinohet plotësisht nëse dëshiron t’i mbajë koncertet në Australi, tha kryeministri Scott Morrison të shtunën, pasi u bë e ditur se ai kishte planifikuar një turne në mars.
Paralajmërimi vjen vetëm dy javë pasi shpresat e kampionit të tenisit Novak Gjokoviç për një titull Australian Open u shkatërruan kur gjykata la në fuqi vendimin e qeverisë për të anuluar vizën e tij pasi nuk ishte vaksinuar.
“Rregullat janë që ju duhet të vaksinoheni plotësisht. Ato vlejnë për të gjithë, siç e kanë parë njerëzit së fundmi. Nuk ka rëndësi kush jeni, ato janë rregullat. Ndiqni rregullat – mund të vini. Nuk zbaton rregullat, nuk mundesh”, ka njoftuar Morrison.
Përfaqësuesit e West, i cili publikoi albumin e tij të fundit, “Donda” në gusht nuk dhanë një koment për këtë situatë.
Ende nuk dihet nëse West është vaksinuar.
Në një intervistë në vitin 2021 ai tha se kishte marrë një dozë vaksine, por në një intervistë të vitit 2020 me revistën e biznesit Forbes, ai e quajti vaksinimin “shenjë e bishës”.
Australia, një nga vendet me më së shumti të vaksinuar, ka qenë duke luftuar një valë shpërthyese infeksionesh muajin e kaluar nga varianti Omicron me përhapje të shpejtë, me rreth 2 milionë raste të regjistruara.
Deri atëherë, ajo kishte vetëm 400,000 raste që kur pandemia goditi për herë të parë gati dy vjet më parë.
Të shtunën, 97 persona vdiqën, pas rekordit të pandemisë së së premtes prej 98 vdekjesh./21Media