Parklife Festival do të mbahet këtë shtator

 
Festivali muzikor vjetor “Parklife” që mbahet në Manchester, e që është njëri prej festivaleve më të mëdha jo vetëm në Britani, por edhe në botë, vitin e kaluar u anulua për shkak të pandemisë së COVID-19. Por siç duket, sivjet do të mbahet.
Organizatorët e tij besojnë se kah fundi i këtij viti do të lehtësohen edhe masat ndaj COVID-19 në Britani të Madhe, pasi që do të merren vaksinat, dhe festivali do të mbahet ashtu siç është mbajtur vitet e kaluara.
Në mesin e këngëtarëve që do të interpretojnë ka fitues të çmimeve Mercury e BRIT Awards.
Debutimin në këtë park do ta bëjë edhe Megan Thee Stallion. Ajo do të performojë bashkë me Skepta, DaBaby, Disclosure, Young Thug, Burna Boy, AJ Tracey, Mabel, Slowthai, Nines, Mist, Earl Sweatshirt, KSI, Little Simz, Celeste, Becky Hill, PA Salieu e  Princess Nokia.
Por ka edhe të tjerë, gjatë vikendit do të interpretojnë edhe: Jamie XX, Bicep (Live), Peggy Gou, Four Tet, Kaytranada dhe The Blessed Madonna, Annie Mac, Camelphat, Honey Dijon, Artwork, Jamie Jones, Jayda G, Skream and Jon Hopkins.
Tashmë për këtë festival janë interesuar më shumë se 250 mijë dashamirë të muzikës, dhe shitja e biletave ka filluar. Bashkëthemeluesi i Parklife Festival, Sacha Lord ka shumë besim se festivali do të mbahet këtë shtator.
Llord për revistën NME ka thënë se stafi mjekësor e shkencëtarët kanë bërë punë të madhe në luftimin e COVID-19. Andaj, me dozën e dytë të vaksinave që do të sigurohet muajin korrik, ka besim se ngjarja muzikore Parklife do të jetë madhështore.
Ai po ashtu ka thënë se pjesëmarrësit nuk do të detyrohen të mbajnë distancën, sepse sipas tij, atmosfera e muzikës nuk krijohet duke mbajtur distancën.
Festivali muzikor madhështor Parklife 2021 do të mbahet me datat 11-12 shtator në Heaton Park, Manchester./21Media

Back to top button