Partitë në “ankth” presin vendimin e Kushtetueses

Me kërkesë të parashtruar nga kryeministri Kurti, Gjykata Kushtetuese të hënën vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe pezulloi punën e Kuvendit. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se presin që vendimi final nga Gjykata të jetë në favor të kërkesës së tyre.

“Natyrisht se e kemi mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme, duke besuar se një vendim ndryshe do të mund të krijonte pasoja që do të ishin vështirë të rikuperueshme. Ne presim që Gjykata ta trajtojë me integritet dhe profesionalizëm dhe besojmë se vendimi do të jetë në favor të kërkesës sonë. Është një situatë ku, nga sa kemi parë prej qëndrimeve publike, si rrallëherë më parë ka pasur një unitet mes komunitetit të ekspertëve, juristëve, ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe profesorëve të së drejtës kushtetuese, të cilët konsiderojnë se ky dekret bie ndesh me Kushtetutën. Andaj besojmë se vendimi do të jetë në favor të kërkesës sonë. Por, përtej kësaj, natyrisht se ne kemi respektuar edhe më herët vendimet e institucioneve, në këtë rast edhe të Gjykatës.”, tha Nagavci

Edhe partitë e opozitës kanë thënë se do ta zbatojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, kritikon LVV-në për shkelje kushtetuese. Sipas saj, si pasojë e veprimeve të Kurtit, vendi pashmangshëm po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Si gjithmonë, LDK nuk i ka komentuar asnjëherë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe edhe këtë vendim do ta zbatojmë. LDK asnjëherë nuk i ka komentuar vendimet e Gjykatës, edhe kur me vendim të saj është rrëzuar kryeministri dhe presidenti nga LDK-ja.”, tha Gaxherri për rtv21.

Por Nagavci beson se ka ende hapësirë për bisedime sa i përket gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Ne besojmë që ka ende hapësirë për të pasur një pajtueshmëri dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për ta tejkaluar këtë krizë në të cilën aktualisht ndodhemi. Një periudhë prej 59 ditësh, e cila do të ishte në dispozicion për arritjen e një konsensusi, mund të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim.”, tha Nagavci.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, vlerëson se Gjykata Kushtetuese veproi drejt me vendosjen e masës së përkohshme, në mënyrë që të mos thellohen shkeljet kushtetuese. Por, sipas tij, për zgjedhjen e presidentit nuk mund të kërkohet zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese, sepse për këtë çështje, siç thotë ai, kërkohet konsensus politik.

“Patjetër që është dashur të ketë bashkëpunim politik për zgjedhjen e presidentit. Ky problem është politik dhe jo kushtetues. Nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se dekreti i presidentes është në përputhje me Kushtetutën, atëherë kjo do të thotë që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.”, tha Kolshi.

Më 6 mars, presidentja Osmani kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi deputetët e legjislativit nuk kishin arritur që brenda 30 ditëve të afatit kushtetues të zgjedhin presidentin e ri./RTV21/21Media

Back to top button