Pas deklaratave të Kosnettit reagon Donika Kadaj-Bujupi

“Komandant Sylejman Selimi nuk është kriminel lufte”

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj para pak ditësh e ka emëruar ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin si këshilltar të tij. Lidhur me këtë ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i cili ka thënë se në Qeverinë e Kosovës nuk duhet të kenë vend të dënuarit për krime lufte Kosovë.

Pas deklaratave të Kosnettit, ka reaguar deputetja e Kuvendit nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, e cila ka thënë se Sylejman Selimi nuk është kriminel lufte dhe se nuk mund të jetë kurban i një therrtoreje të panevojshme.

“Komandant Sylejman Selimi nuk është kriminel lufte. Ai është shëmbëlltyra e një rezistence 100 vjeçare. Me armë të gjata mbi krye dhe në një proces kontravers u gjykua nga Eulexi. Sipas fjalëve të disa dëshmitarëve që as fshatrat e tyre nuk i njihnin, ai u dënua me 14 vjet. Praktikat e gjykimeve të tilla kanë treguar se sistemet juridike shterpe kanë nevojë për gjak të freskët. Komandant Selimi nuk mund të jetë kurbani i një therrtoreje të panevojshme.”, ka shkruar Kadaj – Bujupi.

Emërimin si këshilltar i Haradinajt, e kishte konfirmuar vetë Sylejman Selimi para disa ditësh./21Media

Back to top button