Pas humbjeve në Trust, PDK kritikon Qeverinë që refuzoi tërheqjen nga kontributpaguesit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës duke përmendur humbjet e sivjetme, ka kritikuar pushtetin për refuzimin që i bëri në janar ligjit për tërheqjen e mjeteve nga trusti për qytetarët kontributpagues.

Ferat Shala nga PDK, ka thënë se humbjet në Trust gjatë këtij muaji, janë rreth 60 milionë euro.

“Situata në Trust është alarmante! Gjatë vitit 2022, të gjithë kontribuuesit e vendit kanë humbur hiq më pak se 118 milion euro mjete të tyre në Trust. Trendi i rënies së aksioneve është në situatë shqetësuese edhe këtë vit. Vetëm gjatë këtij muaji që jemi tani, konkretisht nga data 1 mars deri më sot, në Trust kemi humbur rreth 60 milion euro!”, ka shkruar në Facebook deputeti i PDK-së, Ferat Shala, që ka akuzuar pushtetin edhe se përse nuk po cakton bordin menaxhues të Trustit.

“Përkundër kësaj situate, Qeveria ende nuk e ka vendosur bordin menaxhues. Rreth 3 miliard euro të Trustit janë në mëshirën e rrethanave dhe kohës, nën mëshirën e tregjeve globale, praktikisht nën mëshirën e askujt!”, ka shkruar më tej ai të martën.

Shala ka kujtuar propozimin e PDK-së që një pjesë e mjeteve t’u kthehej qytetarëve për të tejkaluar krizën e inflacionit.

“Jo shumë larg nga tash, kur Partia Demokratike kërkonte që një pjesë e mjeteve t’iu kthehej qytetarëve, atyre që kishin kontribuar, Qeveria dhe mazhoranca me këmbëngulje refuzuan dhe votuan kundër, në emër të ruajtjes së skemave sociale për moshën e penzionimit. Koha po e vërteton kërkesën e drejtë e legjitime të qytetarëve për Trustin, sidomos sot kur humbjet janë në total rreth 200 milion euro. A ka Qeveri ky vend?!” ka vazhduar ai.

Një ditë më parë, kritika ndaj pushtetit për çështjen e Trustit, pati edhe ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Edhe ai akuzoi se mungesa e bordit ka bërë që “rreth 2.5 miliardë euro të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit”.

Back to top button