Pas Lumirit kush i shkoi në zyrë Përparim Ramës
Në ditën e tij të parë të punës në zyrë i kishte shkuar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. E tani mysafiri i Përparim Ramës ishte po ashtu i veçantë! I njohur me lidhjen e tij me Londrën s’kishte si të mungonte për vizitë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.
Siç bën të ditur kryetari i Prishtinës, gjatë bisedës u dakorduan për bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, sepse sipas tij përkrahja për Prishtinën do të kontribuojë në cilësinë e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Prishtinës, të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë trupit diplomatik e partnerëve të tjerë ta huaj të vendosur në kryeqytet.
Dje gjatë ditës, Rama po ashtu u takua me përfaqesues të Bankës Europiane për Investime (EIB) dhe Bankën Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, të cilët sipas Ramës, kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur projektet për të ardhmen. “Unë dhe ekipi im do të bashkëpunojmë me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Përparim Rama më 7 dhjetor zyrtarisht mori detyrën e kryetarit të Komunës së Prishtinës./21Media