Pas marrëveshjes për targat pritet që Kurti dhe Vuçiq të ftohen sërish në Bruksel
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja për targat e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është “e arsyeshme”. Dhe pas kësaj marrëveshjeje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të ftohen sërish në Bruksel.
Duke folur në një konferencë për media pas një takimi në Barcelonë, Borrell ka thënë se tani do të sjellë të dyja palët në tavolinë për t’i diskutuar propozimet e BE-së, të mbështetura nga Gjermania dhe Franca.
“Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të Josep Borrell.
Ai nënvizoi se “Bashkimi Evropian, do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit dhe palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”./21Media