Pas shkuarjes në Moskë, deputetë britanikë kërkojnë sanksione ndaj Vuçiqit

Deputetja britanike Emma Lewell, së bashku me një grup deputetësh ndërpartiakë në Britani të Madhe, i ka drejtuar një letër Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy, për të shprehur shqetësimin e thellë lidhur me pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake të mbajtur në Moskë më 9 maj 2025.
Letra e bërë publike nga deputetja Lewell, kritikon ashpër afrimin e Serbisë me Rusinë dhe dështimin e saj për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit, ndonëse është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë letër të deputetëve britanikë thuhet se qëndrimi i Vuçiqit përbën një kërcënim serioz për stabilitetin në Ballkan dhe nxit ideologjinë ekspansioniste të “Serbisë së Madhe”.
“Nën Presidentin Vuçiç, Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Putinin, duke qenë i vetmi shtet kandidat për në BE që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera kundër Ukrainës që nga viti 2014. Për më tepër, Presidenti Vuçiç është përpjekur të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin e Ballkanit në një shkallë më të gjerë, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit, e cila kërkon një shpërqendrim nga përpjekja e saj për pushtim të plotë të Ukrainës”, thuhet në letër.
Deputetët përmendin gjithashtu regresin demokratik në Serbi, përfshirë shtypjen e opozitës, lirinë e medias dhe korrupsionin në rritje.
Po ashtu deputetët britanikë i kërkojnë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të ndryshojë qëndrim ndaj Beogradit, duke propozuar vendosjen e sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit Vuçiq dhe rrethit të tij të ngushtë.
“Prandaj, tani i bëjmë thirrje qeverisë të ndryshojë kursin, duke filluar me një sërë sanksionesh të mëdha kundër qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të saj, dhe të përdorë të gjitha mjetet dislomatike të nevojshme për t’u inkurajuar gjatë të gjitha proceseve për të ndjekur padinë. Nëse nuk i dërgojmë një mesazh të fortë qeverisë serbe, rrezikojmë forcimin e rezistencës ndaj regjimit të Vucicit dhe dështimin për të penguar përkeqësimin e një situate të brishtë sigurie në Ballkan. Ne qëndrojmë pranë studentëve protestues dhe njerëzve në Sora, të cilët kërkojnë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre, larg autoritarizmit dhe korrupsionit”, thuhet më tej në letër.
Zëdhënësja e KE-së Paula Pinho, pati deklaruar më herët se kremtimi i Ditës së Fitores në Moskë është pjesë e propagandës ruse dhe një përpjekje për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, kështu që anëtarët e BE-së dhe vendet kandidate duhet të përmbahen nga pjesëmarrja.
I pyetur nëse do të ketë pasoja për Serbinë, ai tha se është herët për të spekuluar në këtë pikë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?