Pas takimit me Lajçakun, Krasniqi mbledh kryesinë e partisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka ftuar sot mbledhjen e kryesisë së partisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Krasniqi ka njoftuar kryesinë për takimet dhe komunikimet e ditëve të fundit që ka pasur me akterë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, pas dakordimit të kryeministrit Albin Kurti për propozimin evropian.
Siç njoftojnë nga PDK, gjatë këtij takimi, Krasniqi i informoi anëtarët e kryesisë edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të cilin e priti sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Siç bëhet e ditur, në takim është përsëritur se “qëndrimi i PDK-së mbetet i konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me këtë marrëveshje, e cila është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Sipas PDK-së, kjo marrëveshje, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë ndërsa kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë.
Në fund të këtij takimi, është dakorduar që javën e ardhshme të ftohet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Back to top button