Pas takimit me pesëshen e diplomatëve, Vuçiq: Na presin telashe

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq një ditë pas takimit me pesëshen e ndërmjetësve ndërkombëtarë në Beograd, në të cilin është diskutuar propozimi për marrëveshjen Kosovë-Serbi, tha se dje ishte njëra nga ditët më të vështira për Serbinë.
Përmes një video në Instagram, Vuçiqi ka paralajmëruar se Serbinë “e presin telashe e probleme në të ardhmen”.
Vuçiqi deklaroi se të hënën do t’iu drejtohet qytetarëve lidhur me bisedimet në takimin e së premtes me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që udhëhoqi delegacionin e përbërë nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe të kryeministres italiane.
“Dje ishte një nga ditët më të vështira për shtetin tonë dhe unë s’kam mbajtur kurrë asgjë fshehtas nga populli në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet uniteti”, ka thënë Vuçiqi duke vazhduar me kritika se këtë s’e ka parë nga përfaqësues të shtetit të tij.
Pesë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara qëndruan të premten në Kosovë dhe në Serbi./21Media

Back to top button