​Pas tentimit për zjarrvënie në shkollën “Meto Bajraktari”, reagon drejtoria e Arsimit në Prishtinë

​Mbrëmë në Shkollën “Meto Bajraktari” dy persona të maskuar kanë tentuar t’i vënë zjarr objektit përmes hedhjes së lëndëve djegëse. Sipas raportit të policisë së Kosovës fillimisht është thyrë dritarja e objektit të shkollës.

“Por pasi janë diktuar nga personeli i shkollës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, duke e dënuar këtë rast.

“E dënojmë ashpër këtë akt vandal dhe kërkojmë nga organet e rendit që të gjejnë kryesit e kësaj vepre dhe që ata të marrin dënimin e merituar nga organet e sistemit gjyqësor. Motivet e këtij akti duhet të zbulohen”, thuhet në njoftimin DKA.

Drejtoria e Arsimit thotë se është në kontakt me Policinë e Kosovës, për identifikimin e personave.

“Mbesim të indinjuar nga ky sulm kriminal mbi objektet shkollore si institucione të zhvillimit e mësimit për më të dashurit tanë pra fëmijët”, përfundon reagimi.

Back to top button