Pas varrimit të Albright, Osmani zhvillon takime të rëndësishme në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur gjatë ditës në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Senatori Chuck Schumer, kryetari i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senat, Senatori Bon Menendez dhe kryetari i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare në Senat, Senatori Gary Peters.

Gjatë takimit me Senatorin Chuck Schumer, Presidentja Osmani diskutoi për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në kohën kur bashkimi i demokracive anekënd botës në betejën kundër autokracive po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Osmani falënderoi Senatorin Schumer për kontributin e tij të deritanishëm ndaj Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën në këtë kohë sfiduese për kontinentin tonë.

Në takim me kryetarin e komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senatin Amerikan, Senatorin Bob Menendez, Osmani diskutoi për situatën e krijuar në rajonin tonë pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe për faktin se ka interesim të vazhdueshëm nga Rusia dhe aleati i saj në rajon, Serbia, që të minohen të arriturat e popullit të Kosovës dhe të arriturat amerikane në vendin tonë.

Ndërkaq, në takim me Senatorin Gary Peters, kryetar i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare, Presidentja Osmani e ka falënderuar Senatorin Peters për përkrahjen e Kosovës për një kohë të gjatë.

Po ashtu, Osmani diskutoi me të për rëndësinë e mbështetjes amerikane në kohën kur rajoni ynë po përballet me sfida të krijuara nga satelitët e Rusisë si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare./21Media

Back to top button