Pasi Kurti e refuzoi në debat, reagon Hoxhaj

 

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka thënë jo ofertës për debat publik të propozuar nga kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj.

“Partitë e tjera po garojnë për vendin e dytë e as unë e as zonja presidente nuk kemi çka kërkojmë në atë garë”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë ka reaguar Hoxhaj. Sipas tij refuzimi nga Kurti është bërë pasi që atij nuk interesojnë nevojat e qytetarëve.

“Ai refuzoi. E duke refuzuar, dëshmoi se atij nuk i interesojnë nevojat e qytetarëve, por pushteti absolut mbi ta.Për shumë vite, Kosova ka pasur nevojë për debat mes kandidatëve për kryeministër. Debat që do t’i shfaqte qartë dhe mirë para qytetarëve platformat zgjedhore dhe do ta konsolidonte e forconte demokracinë tonë të re.”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai ka shtuar se me refuzimin e tij Kurti nuk po e respekton qytetarin e Kosovës,

“Kurti e di mirë, që poezitë e tij dhe frazat dogmatike janë të zbehta kundrejt një platforme konkrete që e ka në qendër qytetarin, siç është platforma për Rimëkëmbje e Partisë Demokratike të Kosovës. Prandaj, as nuk guxon të dalë e të matet me ide konkrete para qytetarëve. “, ka shkruar ai në Facebook.

Hoxhaj ka vazhduar reagimin e tij duke thënë se sjellja e sotme e Kurtit, është sjellje arrogante dhe injoruese ndaj qytetarëve.

“Unë besoj fuqishëm që qytetarët e Kosovës do t’ia tregojnë vendin secilit që mendon që mund ta anashkalojë vullnetin e tyre. Në Kosovë mund të qeverisin vetëm ata që e dëgjojnë qytetarin, e shohin qytetarin, dhe i qëndrojnë pranë qytetarit pa arsyetime, pa ankesa dhe pa marrë parasysh rrethanat. Këtë për vite me radhë e ka ofruar Partia Demokratike e Kosovës. Kjo është tradita jonë si parti dhe këtë traditë do ta vazhdojmë edhe më 14 shkurt me mua si kryeministër dhe platformën tonë për Rimëkëmbje.”, ka përfunduar Hoxhaj/21Media

Back to top button