PDK deklarohet pas takimit me Osmanin

Kjo parti thotë se është e gatshme për të ndihmuar proceset demokratike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është deklaruar pas takimit të sotëm me presidenten Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e zgjedhjeve në komunat veriore.
Betim Gjoshi si përfaqësues i këtij subjekti në këtë mbledhje, u shpreh se PDK gjithmonë mbetet e gatshme për të ndihmuar proceset demokratike.
“Sot, si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës, mora pjesë në takimin konsultativ në lidhje me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të vendit. Është plotësisht përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të garantojnë funksionimin e institucioneve dhe rendit kushtetues në të gjithë territorin e vendit. Kosova tani më ka ndërtuar një standard të lartë demokratik dhe gjithëpërfshirës të organizimit të zgjedhjeve, në bazë të ligjit, kushtetutës dhe dokumenteve të Republikës tonë në secilin cep të vendit. Rrjedhimisht, ky standard duhet të ruhet dhe të avancohet. Si PDK, ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar proceset demokratike, të cilat janë në të mirë shtetit, shoqërisë dhe të ardhmes tonë të përbashkët!”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sipas të gjitha gjasave, data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të komunave në veri, do të jetë 18 dhjetori.
Sipas saj, vendimin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve për komunat në veri do ta bëjë publik “të hënën apo të martën në mëngjes”./21Media 

Back to top button