PDK: Emërimi i anëtarit tonë të dytë në KQZ është fitore e kushtetutshmërisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekretuar Ilir Gashin si anëtar të dytë të PDK-së, në Komisionin Qendror Zgjedhor.
I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e potencoi si veprim të vonuar në mënyrë të paarsyeshme.
 “Emërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse i vonuar në mënyrë të paarsyeshme për rreth tre muaj nga Presidentja Osmani, gjithsesi ishte rruga e vetme kushtetuese dhe ligjore” thuhet në postim.
Veprimet e Presidentes, PDK i ka cilësuar si të njëanëshme dhe në favor të Kryeministrit Albin Kurti.
“Përgjatë kësaj periudhe disa herë e kemi theksuar se përpjekjet e presidentes Osmani për të interpretuar normat kushtetuese në mënyrë të anëshme e në favor të partisë në pushtet dhe kryeministrit Albin Kurti, janë shkelje kushtetuese dhe të dëmshme për funksionimin e demokracisë”, bëhet e ditur në postim.
Por, sipas tyre, emërimi i Gashit jashtë afatit ligjor, ka rrezikuar funksionalizimin normal të KQZ-së.
“Ky emërim sot vjen vetëm pas kërkesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese dhe presionit publik të shoqërisë civile që argumentuan bindshëm për të drejtën tonë. Presidentja Osmani duke e emëruar anëtarin e dytë të PDK-së jashtë afateve ligjore, ka rrezikuar seriozisht funksionimin normal të KQZ-së në këtë periudhë të zgjedhejeve lokale”.
Kjo është cilësuar si fitore e radhës e PDK-së, por mbi të gjitha fitore e  kushtetutshmërisë
“Prandaj, kjo nuk është vetëm një fitore juridike e radhës e PDK-së, por mbi të gjitha është fitore e kushtetutshmërisë përballë apetiteve të pushtetit sundues për të kapur dhe vënë në kontroll edhe institucionet e pavarura kushtetuese. Bazuar në rezultatin e certifikuar zgjedhor kanë dalë katër grupe parlamentare që përfaqësojnë shumicën në Kuvend dhe këto grupe në KQZ do të përfaqësohen me gjashtë (6) anëtarë siç përcaktohet me Kushtetutë, ku dy grupet më të mëdha parlamentare do të përfaqësohen me nga dy anëtarë”, shton PDK në reagimin e tyre në Facebook./21Media

Back to top button