PDK feston ditëlindjen e Veselit

 

Sot ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli po e feston ditëlindjen e 54-të. Ditëlindje kjo e para që Veseli po e pret jashtë familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve.

Por megjithëkëtë, bashkëpartiakët e tij, në ditëlindjen e 54-të, u mblodhën në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që mënyrë simbolike ta urojnë Veselin për ditëlindje.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në krah me djalin e Kadriut, Klestorin, kanë hapur shampanjë për ditëlindjen e ish-kryetarit Veseli.

Hoxhaj tha se kjo është një mënyrë simbolike për të festuar ditëlindjen e kryetarit të tyre i cili theksoi se padrejtësisht po mbahet në Gjykatën e Hagës. Ai shton edhe se Veseli do të kthehet në Kosovë fitimtar dhe faqebardhë.

“Kjo është një mënyrë simbolike për ta shënuar ditëlindjen e kryetarit tonë të partisë, zoti Veseli i cili në mënyrë të padrejtë mbahet në Gjykatë. Dhe unë jam sëbashku këtu me Klestorin, djalin e Kadriut por edhe me shumë bashkëluftëtarë dhe shokët e tij për t’i thënë kryetarit të partisë urime ditëlindjen i gëzofsh edhe 100 tjera, do të kthehesh në Kosovë fitimtar dhe faqebardhë dhe teknikisht nuk je me ne por je në zemrën dhe mendjen tonë si anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Hoxhaj më tej është shprehur i sigurt që ditëlindjen e radhës do ta festojnë bashkë me Veselin në zyrat e PDK-së.

“Jemi mësuar shpesh që ditëlindjet e tilla t’i festojmë sëbashku, t’i festojmë në kohë të robërisë së Kosovës, t’i festojmë kur Kadriu, Hashimi dhe shumë shokë të tjerë kanë udhëtuar drejt lirisë, dhe udhëtimi drejt lirisë është prej ballafaqimeve më të vështira që mund ta ketë një lider dhe një popull në luftë. Por ne jemi të sigurt që arritjet të cilat i ka Kosova falë kontributeve të Kadriut, kryetari tonë dhe falë kontributit të shokëve në UÇK dhe në falë shokëve në PDK do të jenë arritjet e përjetshme të shtetit të Kosovës. Kadri edhe pse nuk je në mesin tonë, duam që të dëshirojmë shëndet, suksese ty dhe shumë shokëve të tjerë që mbahen në mënyrë të padrejtë në Gjykatë. E di që atje do të keni një festë të vogël, sikurse ne që e kemi festë të vogël sot pa ty këtu në Prishtinë. Por e di që festën e madhe që ia ke sjellë Kosovës, çlirimin dhe pavarësinë e vendit do të jetë prej festave më të mëdha që do të ketë populli shqiptar çdo herë. Urime, jetë të gjatë dhe suksese dhe jam shumë i sigurt që në ditëlindjen e radhës, në vitin e ardhshëm do të jemi gjithë sëbashku këtu në Partinë Demokratike të Kosovës”, uroi Hoxhaj.

Back to top button