PDK-ja dhe LDK-ja refuzuan takimin me presidenten Osmani

(Lajm i përditësuar)

Ftesës së presidentes i është përgjigjur negativisht edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Lajmin e ka konfirmuar për rel zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani, është thënë se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka theksuar se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani.


Krasniqi refuzon ftesën e Osmanit për takim

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e Presidentes Vjosa Osmani për takim.

Krasniqi tha se refuzon ftesën për takim për shkak të qëndrimit të Osmanit kohëve të fundit ku sipas tij nuk ka kryer obligimet e saj kushtetuese.

“Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim. Më poshtë e gjeni letrën e Presidentes dhe përgjigjen time.”, shkroi në Facebook./21Media

Back to top button