Murati: Sipas ASK-së, kemi rënie të thekuar të inflacionit

(Lajm i përditësuar)
Murati: Sipas ASK-së, kemi rënie të thekuar të inflacionit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në interpelancën e thirrur nga AAK për të raportuar, deklaroi se bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka rënie të theksuar të inflacionit.
Ai, seancën e sotme, në të cilën po kërkohet rishikim i buxhetit dhe rritja e pagave në sektorin publik e konsideroi si të panevojshme.
Murati tha se niveli i inflacionit për muajin maj është 5.5%, derisa në korrikun e vitit të kaluar niveli i inflacionit ka qenë14%.
“Sipas ASK, për muajin maj niveli i inflacionit është 5.5% kemi rënie të theksuar në raport kur në vitin e kaluar në muajin korrik kishte arritur niveli prej 14%. Çmimi i naftës sillet përafërsisht 1,25 cent, plus-minus varësisht se ku e blen çmimi i gruri ka rënë në 20-25 cent që është përgjysmim i nivelit që kishim para një viti kur filloi lufta në Ukraninë çmimi i vajit po ashtu litri mund të merret po ashtu me 1.20 cent. Gjitha këto komentet për të cilat thuhej se po ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera tashmë i kemi në nivelin e parainflacionit. Por, çmimet tjera nuk kanë rënë dhe kjo na tregon nuk kemi të bëjmë me inflacion të importuar, por kemi të bëjmë kryekëput me lakmin e tregtarëve për të rritur marzhat e fitimit dhe për këtë e kemi sjell ligjin por që po pret në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve e nisi fjalimin e tij duke demantuar disa të dhëna të shpalosura nga iniciuesi i kësaj interpelance, AAK.
“Në vitin 2019 para pandemisë total pagesat që kanë 2.1 miliardë euro. Në vitin 2022 total pagesa kanë qenë 2.6 miliardë euro pra janë 500 milionë euro më tepër dhe është e pavërtetë të thuhet se ka pas 500 milionë euro më pak. Nuk di kah po i merrni këto shifra e ku po bazoheni. Nëse thu nënekzekutimi tek kapitalet ajo ka ndodh çdo vit dhe ajo kryesisht tek projektet që janë me klauzolë të investimeve, të cilat janë mjete nga kredit. Mirëpo, tërësia e kontributit publik duhet të shihet sa ka shpenzim buxheti si tërësi”, theksoi ai.
Sa i përket ligjit të Pagave, ministri e Financave, Hekuran Murati tha se vitin e ardhshëm koefiencienti do të bëhet 110 dhe se po i qëndrojnë prapa premtimit të tyre.
“Rritja e tërësishme e buxhetit për pagat e sektorit publik është 16% dhe tanimë nivelin e pagave në sektorin publik mesatare e kemi bruto 720 euro apo rreth 100 euro më tepër sesa ligjit të ri të pagave dhe koeficientit 105 euro. Për më tepër gjithnjë duke qëndruar përbrenda kornizës ligjore ne kemi thënë që për vitin e ardhshëm projektbuxheti i ri do të jetë 110 dhe kësaj i qëndrojmë prapa. E konsideroj të panevojshme dhe të painformuar madje një seancë të tillë që kërkon që tash të ndryshohet diçka për të cilën ne kemi shkuar në maksimum sa i përket vitit aktual. Rritja ekonomike këtë vit parashihet të jetë rreth 5% në tre mujorin e parë shifra ka dal 3.91% kemi trend pozitiv dhe trend gradual përderia bie shkalla e inflacionit normal që kemi rritje normale të ekonomisë”, theksoi ai.
Tutje, ministri Murati tha se në Kosovë çmimi për energjinë elektrike është më i ulëti në rajon dhe se kanë subvencionuar 200 mijë familje.
AAK kërkon që rishikimi i buxhetit të bëhet me urgjencë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që me urgjencë të bëhet rishikimi i buxhetit i Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në emër të partisë inicuese të interpelancës për ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Sipas Tahirit, me qeverinë Kurti ekonomia e Kosovës ka rënien më të ulët në historinë e vendit dhe se trendet e vitit 2023 tregojnë për gjendje edhe më të keqe.
“Duke iniciuar iniciativën tonë për fillimin e menjëhershëm të procedurës për rishikimin e buxhetit 2023 për shkak të dy shqetësimeve që i ka vendi në rrafshin qeverisës atë të dështimit të plotë të investimeve kapitale dhe njëkohësisht të ngritjes së koeficientit nga 105 në 129 euro. Ekonomia e Kosovës siç po shihet dhe dihet ka rënien më të ulët në historinë e vetë, ajo në vitin 2021 ka pasur ngritje vetëm 3% përderisa trendet e vitit 2023 janë edhe më të këqija këto janë vlerësime nga FMN dhe Banka Botërore dhe me dinamikën që e kemi këtë vit mund të pritet që vendi dhe ekonomia të bie në një kolapsin dhe dështim të plotë“, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se menaxhimi i fondeve publike për dy vjet e gjysmë nga qeveria Kurti është i dobët, jo profesional, partiak e politik.
“Menaxhimi i fondeve publike në këto dy vite e gjysmë të qeverisë Kurti ishte i dobët jo profesional partiak e politik e mbi të gjithë i dëmshëm për vendin. Në vitin 2021 nga Fondi i investimeve kapitale të përcaktuara me buxhet në shumë prej 622 milionë euro janë realizuar vetëm 419 milionë euro pra nën shpenzimi ka 203 milionë euro për vitin 2021, ndërsa për vitin 2022 shuma ka qenë 704 milionë euro e janë realizuar vetëm 419 milionë euro, pra nënshpenzimi për vitin 2022 ka qenë 285 milionë euro. Për dy vite qeverisjes Kosova dhe kjo qeveri nuk ka arritur t’i shpenzoj gjysmë miliardë euro, pra 500 milionë euro nuk janë shpenzuar. Për më keq nëse e shohim inflacionin konsiderohet se këto dështime kanë ndodhur dhe fondet publike janë dëmtuar dhe zhvlerësimi i tyre është në 200 milionë euro”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së ka theksuar se me ligjin për paga i cili është dështim total ka krijuar pakënaqësi tek të gjitha kategoritë.
Ai kërkoi që me urgjencë të bëhet rishikimi i buxhetit.
“Qeveria Kurti në këtë mandat për dy vite e gjysmë nuk ka arritur as t’i plotësoj vendet e reja të punës që i ka 700 mijë e 225 vende vakante të parapara me ligjin e buxhetit të buxhetuar i ka në administratë shtetërore çka po pret a po e pret me kaluar ligji për zyrtarët publik dhe me i punësua politikisht cila është arsyeja që qeveria nuk i përmbush këto vende vakante. Për AAK katrahura që është krijuar nga ligji i pagave i cili është dështim total i cili nuk ka prek as në esencë edhe tek ato kategori që kanë pas rritje janë të pakënaqur tregon kulturën, menaxhimin, qasjen që ka kjo qeveri. Ne kërkojmë që rishikimi i buxhetit duhet të ndodh me urgjencë për eliminimin e disproporcioneve dhe mangësive që në theks të veçantë e kanë tek koeficienti. Në fondin e pagave duhet të ketë një rritje prej 23% që nënkupton nga 745 milionë e 916 milionë euro, pra 170 milionë euro gjithsej ”, ka theksuar ai.
Musliu: Kjo qeveri propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu akuzoi sot Qeverinë e Kosovës për terror të përditshëm ndaj administratës shtetërore, për çka nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që kjo të ndalet.
Në seancën e Kuvendit, Musliu tha se qeveria Kurti propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë dhe se sipas saj, është mashtruese e inatçore.
“Lufta e pushtetit aktual ndaj secilit që ka guxim, të qëndroj drejt, sot është e paprecedentë. Administrata shtetërore është në terror të përditshëm nga një Qeveri, e cila është e paaftë për të qeverisur. Nga një Qeveri që presionin, diferencimin rajonal dhe politik e ka bazë të veprimtarisë së saj. Nga një Qeveri që për dy vjet e gjysmë qeverisje nuk ka shënuar asnjë sukses. Nga një Qeveri që e ka izoluar vendin në agjendën ndërkombëtare. Nga një Qeveri që propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë, nga një qeveri inatçore dhe mashtruese. Sot dua t’i bëj thirrje Qeverisë që ta ndalë dhunën dhe presionin ndaj punëtorëve të administratës dhe medieve”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së tha se kryeministri Kurti e ka humbur betejën me të gjithë dhe siç u shpreh ajo, nuk mund ta shpëtojnë as militantëtët dhe as ministrat horror.
“Në rrugën që ka hyrë Albin Kurti duke kaluar nga kriza në krizë për ta fshehur paaftësinë e tij qeverisëse nuk mund ta shpëtojnë as militantët e frustruat të VV qoftë në kabinetin qeveritar qoftë në rrjete sociale e nuk mund ta shpëtojnë as kabineti i ministrave horror, të cilët janë në gjendje të rrinë një këmbë vetëm për t’ia mbajtur zhagun Albin Kurtit dhe që Albin Kurti të jetë i vetëkënaqur me vetën e tij. Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka humb betejën me çdo pjesë të shoqërisë në Kosovë. Betejën e vetme Albin Kurti sot e ka me vetveten”, shtoi ajo.
Haradinaj pyet partitë opozitare: Pse ka hezitime për mocion
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Hardinaj ka pyetur dy partitë opozitare PDK-në dhe LDK-në pse nuk po e përkrahin mocionin e mosbesimit që është nisur nga AAK.
“Pse ju lutem ka hezitime për mocion? Ku është problemi le të më tregojnë ata që po hezitojnë? Ku e keni problemin të gjithë ju që hezitoni për mocion? A është e vërtetë që kemi humbur besimin e institucioneve euroatlantike, a është e vërtetë që kanë filluar ndëshkimet dhe a është e vërtetë që jemi duke u dobësuar? Pse nuk po keni guxim secili me dalë më thënë, po e votoj mocionin. Çfarë është duke ndodhur te opozita ju lutem, ku e keni problemin kolegë opozitarë, PDK dhe LDK? Pse po mendoni ende se kush përfiton nga mocion? Vetëm një përfitues është, Kosova dhe interesi ynë”, tha Haradinaj.
Deliu: Qasja avantureske e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në pjesën veriore
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se për shkak të sjelljes, sipas saj aventureske, të kryeministrit Albin Kurti, sot në pjesën veriore të vendit ka më pak siguri, shtet rend e ligj.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo bëri thirrje për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.
“Sot 8 ditë pas policitë tanë po mbahen në paraburgim me akuza të pabaza e me trajtim të pa dinjitetshëm njerëzor. Ndërkohë thirrja jonë mbetet e njëjtë lirimi i menjëhershëm i tyre pa asnjë kusht. Fatmirësisht thirrje të tilla prej ditëve të para kanë bërë edhe miqtë ndërkombëtar të Kosovës SHBA, Mbretëria e Bashkuara, BE. Shpresojmë dhe besojmë se angazhimi i të gjithëve do të ë mundësoj kthimin e zyrtarëve policor në punën dhe tek familjet e tyre, mirëpo nëse në këtë pikë jemi gjithë njëzëri ne fatkeqësisht jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për nivelit e bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me partnerët e saj strategjik. Sot qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti I ka mbyllur dyert me diplomacitë e vendeve mike”, tha ajo.
Sipas deputetes së PDK-së, qasja e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në veriun e Kosovës e ka më pas siguri e rend e ligj.
“Sot si rezultat i qasje aventureske të Albin Kurtit kemi më pak sovranitet në pjesën veriore. Kemi më pak siguri, më pak rend dhe ligj, pra kemi edhe me pak shtet. Çfarë kemi sot janë sulmet e vazhdueshme të papranueshme të partisë në pushtet për NATO-n si organizatë paqeruajtëse që garanton integritetin territorial të Kosovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si garanci e shtetësisë sonë. Nxitja e një gjuhe të tillë shpërfillëse dhe mosmirënjohëse nga eksponentë të pushtetit është prej qëllimeve të qarta të Serbisë në luftën e saj hibride ndaj shtetit tonë “, tha ajo.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka nisur me fjalimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani i cili ka falënderuar gazetarët dhe kameramanët të cilët ndonëse të sulmuar nga bandat kriminale kanë kryer punën e tyre.
Ramadani tha se puna heroike e gazetarëve dhe policëve garanton triumfin e demokracisë së Kosovës.
Në këtë seancë plenare është paraparë të zhvillohet edhe interpelanca e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati lidhur me rishikimin e buxhetit të Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik
Konjufca: Nuk i takon kryetarit t’i pres deputetët
Seanca e sotme plenare e paraparë të nis në orën 10:00 ka filluar me gjysmë ore vonesë për shkak të mungesës së deputetëve.
Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca duke u bërë thirrje deputetëve që të vijnë në sallë.
“Vetëm 46 deputet janë të pranishëm iu lutem thirrni deputetët tuaj të vijnë më shpejt edhe ashtu jemi gjithmonë jashtë orarit të seancave për shkak të pranisë tuaj. Jam shumë më herët në Kuvend iu shikoj nga televizori, nuk i takon kryetarit me iu prit juve”, tha ai.
Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e sotme është paraparë të zhvillohet edhe interpelanca e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati lidhur me rishikimin e buxhetit të Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?