PDK-ja emëron nënkryetaren dhe drejtorët në Komunën e Prishtinës

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka prezantuar sot ekipin drejtues të kësaj partie në Komunën e Prishtinës.
Përmes një konference për shtyp, Ismaili tregoi që PDK ka emëruar për herë të parë një grua si nënkryetare të Kryeqytetit.
Ai gjithashtu prezantoi edhe ekipin e katër drejtorëve nga radhët e PDK-së për katër vitet e ardhshme, ndërsa pritet të emërojë edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.
Ismaili tha se të gjithë të emëruarit në këto pozita janë figura të dëshmuara, profesionistë dhe me integritet, të cilët me angazhimin e tyre do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.
Në rolin e nënkryetares së parë grua të Prishtinës, PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun.
Sahatçiu ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.
Ismaili ka prezantuar edhe katër drejtorët nga radhët e PDK-së.
Drejtore për Arsim është emëruar Besianë Musmurati, Drejtor për Sport do të jetë Granit Rugova, Drejtor i Shërbimeve Publike do të jetë Ilirik Musliu, ndërsa Drejtor i Bujqësisë është emëruar Plator Gërdovci. Gjatë ditëve në vijim Ismaili pritet të emërojë edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.
Nënkryetar, pos Sahatçiut, do të jetë edhe Alban Zogaj. Arbër Sadiki është drejtor i Urbanizmit, Mimoza Sylejmani e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Krenar Xhaferi drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Dorutinë Maloku drejtoreshë e Pronave, Donat Lushtaku drejtor i Kadastrit, Adelina Sahiti drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, Izet Sadiku drejtor i Shëndetësisë, Valbona Makolli drejtoreshë e Financave, Florian Dushi drejtor i Inspekcionit, Donika Çetta drejtoreshë e Parqeve dhe Bersant Beka drejtor i Administratës.
Më 7 dhjetor të vitit të kaluar, Rama ka marrë postin e kryetarit të Prishtinës./21Media

Back to top button