PDK: Kurti e Osmani turpëruan Kosovën
Partia Demokratike e Kosovës sonte reagoi ndaj vizitës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, me ç’rast në disa media u raportua se vizita e Kurtit dhe Osmanit u ndërpre nga një grup i qytetarëve serbë, por kjo u mohua nga Vetëvendosje.
PDK përmes një komunikate deklaroi se Kurti dhe Osmani e turpëruan Kosovën.
“Për më shumë se një dekadë, Albin Kurti na thoshte “shkoni në Mitrovicë”, i nxitur nga urrejtja për të provuar se shteti i Kosovës është i paaftë dhe i dështuar. Njeriu që përpiqej të përfitonte politikisht në kurriz të institucioneve tona kur vit pas viti shtrihej sovraniteti dhe rendi kushtetues i Kosovës në veri, sot turpëroi shtetin dhe cënoi rëndë të arriturat në atë pjesë të vendit tonë. Duke abuzuar të gjithë infrastrukturën shtetërore dhe privilegjet e institucionit të presidentit, Albin Kurti i shoqëruar nga asistentja e tij politike, Vjosa Osmani, nëpërkëmbën dhe poshtëruan Republikën e Kosovës dhe rendin kushtetues të saj.”, u bë e ditur në reagimin e PDK-së.
PDK theksoi se U.D e presidentes, Vjosa Osmani e “ka shndërruar institucionin e presidentit në një zyrë partie.”.
“Përzurja poshtëruese nga një grup huliganësh në veri, e dëshmoi se Vjosa Osmani është e padenjë për atë pozicion dhe e ka shndërruar institucionin e presidentit në një zyrë partie. Partia Demokratike e Kosovës dënon sjelljen e shëmtuar, të pamatur dhe të rrezikshme të dy pretendetëve për pushtet, Kurti-Osmani, të cilët vunë në pikëpyetje të arriturat e deritanishme të institucioneve tona për ta shtrirë sovranitetin, vendosjen e pushtetit gjyqësor dhe instaluar rendin e sigurinë. Kjo që pamë sot, është poshtërim i këtyre dy aventurierëve që për qëllime të ulëta politike, i nëpërkëmbin të arriturat e vështira të shtetit të Kosovës të ngritur mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e UÇK-së.”, u bë e ditur tutje në reagim.
Sipas PDK-së, Kosova ka nevojë për njerëz të fuqishëm dhe se në ditën e zgjedhjeve, qytetarët do t’iu thonë jo politikanëve të pa përvojë dhe të rrezikshëm.
“Republika jonë ka nevojë për liderë të fuqishëm, që nuk shkojnë në pjesën veriore për një fotografi në kohë zgjedhjesh siç bën Kurti e Osmani, por për ta ushtruar pushtetin shtetëror dhe që mundësojnë lirinë e lëvizjes, prosperitetit e të ardhmes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë pjesë. Me 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’i thonë jo politikanëve aventurierë, të rrezikshëm, të pa përvojë dhe pa guxim. Në këto zgjedhje, do të fitoj partia e shtetndërtimit dhe e rimëkëmbjes së Kosovës.”, bëri të ditur tutje PDK në komunikatë.
Ndryshe, në disa media sot u raportua se vizita e Kurtit dhe Osmanit në Mitrovicë u ndërpre nga një grup i qytetarëve serbë. Ndërsa, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu bëri të ditur se vizita e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicë sot u realizua plotësisht./21Media