PDK me akuza ndaj Komunës së Fushë Kosovës rreth procesit mësimor

 
Partia Demokratike e Kosovës në Fushë Kosovë ka kritikuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim dhe dështim të procesit arsimor.
Zëdhënësja e Degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Besarta Pllana në një konferencë për media, theksoi se viti shkollor 2020-2021 ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë por edhe më të vështirë, siç tha ajo, e bëri keqmenaxhimi i Komunës në këtë situatë, ku u atakua i gjithë procesi mësimor dhe si rezultat, vitit shkollor 2020-2021 ishte më i dobët se ai vitit 2019-2020.
”Pati papërgjegjësi e neglizhencë për ta zhvilluar një proces mësimor, sipas rekomandimeve të institucioneve dhe planit të task forcës, pra pati dështim në menaxhimin e situatës dhe njëkohësisht dështim të mësimit online dhe atij të rregullt. Plani i task forcës mbeti vetëm në letër dhe nuk është funksionalizuar asnjëherë, ndërkohë që situata kërkonte mobilizim dhe koordinim të shtuar në mes të Komunës dhe shkollave. Mungesa e koordinimit të task forcës bëri që situata t’i lihej Covidit, ku pati mësimdhënës e nxënës të infektuar, e të cilët nuk ndodhen në asnjë statistikë dhe nuk raportohej fare për këto raste e për gjendjen në shkolla. Kjo e dëmtoi rëndë gjithë procesin mësimor”, tha Pllana.
Po ashtu, zëdhënësja e partisë, tha se Komuna e Fushë Kosovës nuk bëri as edhe një hap për të siguruar pajisje teknologjike për fëmijët me gjendje jo të mirë ekonomike të cilët nuk kishin mundësi të kyçeshin në mësimin online, sidomos fëmijët e komuniteteve pakicë, ku shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda.
Ndërsa, sipas Pllanës sa i përket realizimit të plan programit për vitin shkollor 2020/21 ai nuk është realizuar as për së afërmi.
”Sipas hulumtimeve të ekipit nga dega e Partisë Demokratike në Fushë Kosovë, realizimi i plan programit është bërë në një përqindje të ulët. Pra, nuk është realizuar as 50 përqindëshi i planprogramit mësimor. Dega e PDK-së pati reaguar përmes mediave se në shkollën ”Mihal Grameno” pati ndërprerje të mësimit për dhjetë ditë, ku kërkuam dorëheqjen e drejtorit të Arsimit në Komunë, Islam Shabani. Një dukuri e vazhdueshme në Fushë Kosovë, ishte mosrespektimi i kritereve profesionale në konkurset për mësimdhënës. Kjo ndodhi me konkurset për gjuhë angleze, mësim klasor, psikologji etj.. Në fakt arsimi në Fushë Kosovë ka qenë i atakuar me vite të tëra, ku në një klasë kanë mësuar deri 45 nxënës. Kjo ka ndikuar në rënien për çdo vit të cilësisë së arsimit”, tha ajo.
Sipas PDK-së, Komuna nuk e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e shkollave dhe nuk e ka menaxhuar situatën krahas rritjes së numrit të banorëve në Fushë Kosovë.
Po ashtu, sipas kësaj partie, i atakuar mbetet edhe arsimi parashkollor, të cilin në këtë vit Komuna e ka lënë anash dhe nuk është marrë fare me këtë hallkë të rëndësishme të sistemit arsimor.
Zëdhënësja e PDK-së tha ndër të tjera theksoi se kjo qeveri komunale nuk ka pasur vullnet tash e njëzet vjet që t’i eliminojë këto defekte të cilat janë tepër të dëmshme për arsimin.
”Fushë Kosova ka mësimdhënës të përgatitur të cilët në rrethana të tjera do të mund të tregonin suksese të mira, por në një sistem të dështuar si kjo e qeverisjes komunale, nuk mund të presim rezultate të mira. Fushë Kosova meriton një qeverisje ndryshe, një sistem arsimor që jep rezultate, jo i politizuar, me kuadro profesionale dhe të përgatitura, të pangarkuar me 45 nxënës në një klasë”, theksoi ajo.
Qeveri komunale e udhëhequr nga LDK, sipas PDK-së, nuk ka pasur vullnet tash e njëzet vjet që t’i eliminojë këto defekte të cilat janë tepër të dëmshme për arsimin./KP

Back to top button