PDK nuk dërgon komente në ZRRE

Edhe Partia e Demokratike e Kosovës  ka kundërshtuar rritjen e tarifave për rrymën, ani pse nuk kanë dërguar komente për këtë çështje në adresë të Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se, sepse ato i kemi bërë publike në vazhdimësi, dhe se ata e kundërshtojnë çdo vendim që ka të bëjë me rritjen e çmimit të rrymës.
“Sot përfundon afati për dhënien e komenteve formale ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka dërguar komente për këtë çështje në adresë të ZRRE, sepse ato i kemi bërë publike në vazhdimësi.
Ne konsiderojmë se përtej komenteve formale, ZRRE në vendimin e saj duhet të marrë për bazë të gjitha diksutimet publike, qëndrimet politike dhe disponimin qytetar në lidhje me kërkesën për ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Si parti politike, në vazhdimësi kemi paralajmëruar se do të ketë krizë energjetike në Kosovë dhe në paraqitjet publike kemi shprehur qëndrimin tonë kundër rritjes së çmimit të energjisë. Për këtë kemi ftuar edhe seancë të jashtëzakoshme në Kuvendin e Kosovës, ku i kemi dhënë edhe propozimet tona, si dhe kemi ofruar argumente profesionale përgjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
PDK konsideron se vendosja e bllok tarifave për çmimin e energjisë nga ana e ZRRE është veprim i gabuar që i trajton padrejtësisht shumicën e qytetarëve dhe si i tillë është vendim politik i ndikuar nga Qeveria e Kosovës, që do ta rëndojë edhe më tepër xhepin e qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, rritja e paralajmëruar nga ZRRE prej 42 për qind në total, e që për shumë konsumatorë do të shkojë në mbi 100%, është e pashembullt, e panevojshme dhe e paarsyeshme. Edhe më keq, propozimi i ZRRE nuk i përfshin fare komunat në veri të vendit, të cilat edhe ashtu nuk paguajnë fare energji. Kjo ndarje është e paligjshme dhe e padrejtë ndaj qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës. Përtej kësaj, ky është një rrezik që avancon tendencat autonomiste në veriun e vendit. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për çdo vendim në lidhje me përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike që do ta marrë ZRRE dhe çfarëdo arsyetimi është vetëm në funksion të ikjes nga kjo përgjegjësi që e kanë. PDK do ta kundërshtojë çfarëdo vendimi për rritje të çmimit të energjisë në këtë fazë, duke i shfrytëzuar të gjitha instrumentet ligjore në dispozicion”, ka shkruar Kransiqi në Facebook.
Sot edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se ka dërguar komentet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë sa i përket rritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo krizë ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2021, teka ka bërë edhe një porpozim për Qeverinë./21Media

Back to top button