PDK paralajmëroi se do ta dërgojë në Kushtetuese Fondin Sovran, VV: Opozita po shfrytëzon Gjykatën për ta mbrojtur shtetin e kapur
Partia Demokratike e Kosovës, ditë më parë ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese ligjin për Fondin Sovran.
Lidhur me këtë ka reaguar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka thënë se opozita pa aletrnativë po e shfrytëzon Gjykatën Kushtetuese.
“Opozita e pa alternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit. Pra, nga njëra anë ajo dërgon Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë dhe atë për Këshillin Prokurorial, kurse në anën tjetër Ligjin për çmimet tavan dhe atë për Fondin Sovran. Në mungesë të kritikës së mirëfilltë dhe alternativave ndaj propozimeve e vendimeve tona, me qëllim bllokimin e reformave tona transformuese e progresiste vazhdojnë të dërgojnë ligje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me opozitbërje, kjo është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre.”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Ligji për Fondin Sovran u miratua në Kuvend më 15 dhjetor. Një ditë më pas, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se e PDK do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Fondin Sovran duke u zotuar se do të angazhohen që me argumente juridike ta rrëzojnë, meqë sipas Tahirit bazën e ka në ekonomitë komuniste./21Media