PDK paralajmëron padi për Bordin e ZRRE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka reaguar ndaj qëndrimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për moszbatimin e vendimit Gjykatës Themelore për pezullimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Tahiri tha se PDK-ja e ka marrë me shqetësim jashtëzakonisht të madh këtë vendimin të ZRRE-së për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore.
“Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën që është publikuar dhe në ditën që e kemi marrë edhe ne, edhe ZRRE. Baza ligjore në të cilën ZRRE thirret që ky vendim nuk ka hyrë në fuqi është e paqëndrueshme. Andaj vendimi i Gjykatës Themelore, Departamenti Administrativ është jashtëzakonisht i qartë. Ky vendim ka hyrë në fuqi dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë tarifa të energjisë elektrike me rritje për këtë muaj, përderisa nuk kemi një vendim tjetër të shkallës së dytë, pra të Apelit.”, ka theksuar ai.
Tahiri i ka bërë thirrje ZRRE-sëqë të zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore.
Po ashtu, PDK i bën thirrje Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani që të mos insistojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Tahiri tha se në rast të moszbatimit të këtij vendimi, PDK do të angazhohet që të bëj padi penale për Bordin e ZRRE-së.
Javën e kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike./21Media 

Back to top button