PDK: Politika e Kurtit po bën që SHBA-ja, Britania e Franca të pajtohen me Rusinë e Kinën

(Lajm i përditësuar)


Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku e Enver Hoxhaj, kanë reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

Hoxhaj, i cili është edhe deputet i PDK-së në Kuvend, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politikë të gabuar. Sipas tij Qeveria Kurti ka bërë që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën, gjë të cilën sipas tij nuk e bëjnë për asnjë temë.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, tha Hoxhaj.


Çitaku: Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, që dikur e përfaqësonte Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e ka quajtur “mjerim dhe marrëzi” seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo ka marrë për bazë fjalimin kritik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në seancën për çështjen e dinarit, të ftuar nga Serbia.

“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KSOKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

SHBA-ja kritikoi Kosovën duke thënë se vendimi për dinarin ka qenë i pakonsultuar paraprakisht.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë dy herë në vit, në prill dhe tetor, gjatë të cilave diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit është mbajtur më 23 tetor 2023./21Media

Back to top button