PDK thotë se Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës se ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovë, ka thënë se nga 22 marsi 2021, pra nga dita e parë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti e deri me 7 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.
Sipas tij, kjo ministri ka nënshkruar 42 kontrata një burimore.
“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe bashkë hisedari i tij Hysen Durmishi, për një vjet, kanë lidhur gjithsej 42 kontrata për punë shtesë në vlerë mbi 9 milionë euro, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit. Në këtë sipërmarrje korruptive, ekipet tona të juristëve dhe ekonomistëve kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të shkeljeve, të cilat jo vetëm që shkelin dispozitat e ligjit, por përbëjnë aktivitet të hapur korruptiv dhe vepër të pastër penale, dhe të cilat do të duhej e do të duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri në konferencë për media.
“Të shpenzohen 9 milionë euro në mënyrë të negocime në punë të paparashikuara është një dëm jashtëzakonisht i madh”, ka shtuar Tahiri.
Deputetja Eliza Hoxha, ka argumentuar shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik, të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, ku sipas saj, 90 për qind e kontratave të lidhura e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, duke i shkaktuar dëme buxhetit shtetëror prej 10 për qind të vlerës së kontratave bazë.
Sipas saj, shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë./21Media

Back to top button