Filmi “Era” vazhdon misionin në zemër të Prishtinës

Në qytetin e Prishtinës po vazhdojnë xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Era”, në regji dhe skenar të Parta Kelmendit.
Xhirimet e tapës së tretë që filluan më 08 prill parashihet të përfundojnë më 21 prill. Filmi u xhirua në tre tapa, pjesa e parë gjatë dy javëve të muajit dhjetor, pjesa tjetër në fund të janarit dhe pjesa e fundit këtë muaj.
Për ditë me radhë, disa pjesë në zemër të Prishtinës, për disa orë u kthyen në zona të okupuar, me rrugët me makinat “Zastava” të milicisë dhe makina të blinduara ushtarake të policëve serbë. Po ashtu më 09 prill në shesh xhirim të filmit “Era” tek objekti i Radio Kosovës, koha është kthyer prapa në fillim të viteve ’90 me Radiotelevizionin e Prishtinës, rrethuar me milicë e me gazetarë që nxirren dhunshëm prej aty.
Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive. Shkollat paralele, ndërkohë që të rinjtë po përjetonin apartheidin dhe dhunën karshi tyre. Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.


Filmi po xhirohet me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të ekipit po punojnë profesionistë të spikatur të botës së filmit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, “Era” realizohet nga produksioni Nam Creative, në koproduksion me RTV21 dhe produksionin nga Maqedonia  e Veriut, List Production.
Skenariste dhe regjisore është Parta Kelmendi, drejtor i fotografisë Naum Doksevski, ndërsa producente e filmit është Afërdita Saraçini – Kelmendi.
Në rolet kryesore paraqiten aktorët e njohur të Kosovës. Në rolin e Erës, Zana Berisha, ndërsa në rolet e tjera kryesore paraqiten aktori i mirënjohur Alban Ukaj, Armend Ismajli, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Majlinda Kosumoviq, Irena Aliu, Lum Veseli e të tjera.



Ukaj, i njohur nga rolet e tij në filma ndërkombëtar, ka folur në “Për Ditë të Mbarë” të RTV21 për këtë projekt të ri filmik që e solli atë në Kosovë. Aktori ka treguar se çfarë kishte të veçantë skenari i filmit “Era” që e bëri t’i thotë “Po”./21Media

Back to top button