PDK thotë se Qeveria ia humbi Kosovës 21 milionë euro ”dëm i madh për ekonominë e vendit”

Pas vendimit të Qeverisë Kurti për t’i ndarë 21 milionë euro kompanisë “Contour Global” si epilog i procesit të arbitrazhit pas dështimit të ndërtimit të termocentralit ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj tha se përtej humbjes financiare, menaxhimi i munguar dhe i dështuar i këtij projekti, dëshmon se Qeveria ka dështuar të ndërtojë një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për adresimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës për furnizim me energji.

“Dje Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që të paguajë 21 milion euro, si pasojë e humbjes së procesit të Arbitrazhit ndaj Kompanisë Coutour Global. 21 milion euro janë të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë”, theksoi ai.

Ndërsa, anëtari i tjetër i kryesisë, Blerand Stavileci ka thënë se dështimi këtij projekti është një dëm i madh që i është shkaktuar buxhetit dhe ekonomisë së vendit tonë.

Reagim për këtë vendim të Qeverisë sot pati edhe nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj në një konferencë për media  i është përgjigjur kritikave të Kurtit i cili dje në mbledhjen e djeshme të Qeverisë fajësoi kryetarin e AAK-së për nënshkrimin e kontratës me “Contour Globalin” e për të cilën Kosova do të paguajë 21 milionë euro pasi humbi arbitrazhin./21Media

Back to top button