Peach: Londra kërkon një Ballkan Perëndimor të sigurt

Qeveria britanike e dëshiron një Ballkan Perëndimor të sigurt, me institucione të forta, demokratike dhe me sundim të fortë të ligjit. Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me rastin e vizitës së tij në Bosnje – Hercegovinë.
Në një video-mesazh për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, Peach tha se kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka kërkuar ta marrë postin për të mbështetur përpjekjet e Londrës në të gjithë rajonin, raporton atsh.
Ai tha se dëshiron të ofrojë mbështetje për zgjidhjet politike si dhe të promovojë integrimet euroatlantike.
“I gëzohem bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë edhe përfaqësuesin e lartë [ndërkombëtar] dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe ofrimit të mbështetjes për ata që angazhohen në përparimin e këtij vendi”, tha Peach.
Peach u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në fillim të dhjetorit.
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ai do të bashkëpunojë me partnerët e Britanisë së Madhe, në mbështetje të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Back to top button