Peci e kthen në pronësi tokën 4 milionëshe që kundërligjshëm i është bartur një serbi

Një tokë me një sipërfaqe prej 1 hektar e 34 ari, me vlerë prej 4 milionë euro, e ka kthyer në pronësi Ministria e Bujqësisë, pasi që në vitin 2020 ishte bartur tek pronari Jovica Deniq.

Peci në një konferencë për media ka thënë se rasti në fjalë është një ndër rastet më bizare që kanë ndodhur karshi tentimit për tjetërsim dhe abuzim flagrant të pronave shtetërore, shkruan rtv21.tv.

“Kjo parcelë me numër 1559/1 me një sipërfaqe prej 1 hektar e 34 ari, me vlerë të përafërt prej 4 milionë euro, Pronë e Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2020 është bartur tek pronari Jovica Deniq”, ka thënë Peci.

Ndërsa ka shtuar se mënyra e tjetërsimit të kësaj prone paraqet krim.

“Nga të dhënat që posedojmë, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë toke të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb ish zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës”, ka thënë i pari i Bujqësisë.

Ndërsa tutje ka thënë se në vazhdimësi të sensibilizimit do të njoftohet opinioni publik dhe organet e rendit e drejtësisë për shkeljet ligjore të cilat kanë autorë e për të cilët institucionet e drejtësisë duhet të japin vendimin dhe epilogun meritor.

“Në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela në të cilën ndodhemi sot, i është bartur në pronësi Jovica Deniqit. Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më Maj të 2019 si dhe në gusht të 2020-tës kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniqit, për shkak të konstatimit të zbrazëtisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit”, ka thënë tutje Peci.

Mirëpo, ministri nuk u mjaftua me kaq, ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të angazhohet dhe hetojë gjithë mënyrat dhe procedurat e bartjes së pronës së Ministrisë së Bujësisë tek grupe apo individ, e që janë hiç me pak se qindra hektar me tokë, objekte afariste e objekte banimi./21Media

Back to top button