Pistorius: Të jepet afat më i gjatë për zbatimin e rregullores së BQK-së

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë të hënën se Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë, duke e vendosur euron si valutë të vetme, por, sipas tij, duhet të jepet kohë për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Rregullorja e BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – parasheh që valuta e vetme për kryerje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.

Në këtë mënyrë, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.

“Besoj është më mirë të realizohet rregullorja, por të jepet një afat më i gjatë për zbatimin e saj”, tha ministri gjerman.

Sipas tij, vendosja e euros si valutë e vetme duhet të komunikohet në mënyrë të përshtatshme, “ashtu që askush të mos ketë frikë dhe të mos jetë i painformuar”.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha “aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit serb, dhe nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit”.

Back to top button