Peci: Shumë shpejt do të kompensojmë komunat e prekura nga vërshimet

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se shumë shpejt Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë dëmet e vërshimeve të fundit në komunat e prekura.

Këto komente ai i bëri pas takimit që kryeministri, Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar zhvilloi me kryetarët e komunave të Kosovës.

Sipas Pecit tashmë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në komunat Mitrovicë, Skenderaj dhe Klinë është hartuar edhe një raport final.

“Nga shtatori i vitit të kaluar qeveria ka marr vendim për themelimin e një sekretariati që funksionin brenda MPB-së, ndërsa ne si ministri të linjës kemi nga 1 anëtar, tash e tutje të gjitha dëmet dhe veprimtaritë do të realizohen përmes këtij sekretariati e ne kemi informacione që tashmë ekziston një raport final dhe ai i është dërguar ministrit të Financave dhe pritet që në njërën nga mbledhjet e radhës të qeverisë që të kompensohen”, tha ai.

Mes të tjerash ministri i Bujqësisë, Faton Peci u shpreh se si ekzekutiv nga niveli lokal kanë kërkuar që të gjejnë hapësira të përshtatshme për veprimtarinë e tregjeve.

“Mes të tjerash është çështja që është detyrim ligjor i komunave të Kosovës që të gjejnë hapësira të përshtatshme të ofrimit të veprimtarisë për tregjet, tregjet e gjelbra gjithashtu edhe tregjet ku bëhet tregtimi i kafshëve dhe shpezëve. Ditëve të fundit unë kam marr një sërë angazhimesh bashkë me Inspektoratin e AUV-it në funksion të ruajtjes së shëndetit publik”, theksoi ministri Peci.

Ai sërish tha se përkundër dëshmive dhe fakteve për ndërtimet në tokë të shtetit në Stankaj të Rugovës por edhe në Ulpianë prokuroria nuk po vepron tash e shtatë muaj.

“Përkundër ofrimit të gjitha dëshmive dhe fakteve Prokuroria nuk ka marr asnjë veprim për më shumë se 7 muaj sikurse edhe vilat në Stankaj që janë të ndërtuara në pronën shtetërore dhe njëkohësisht edhe veprimtaria ilegale që ushtrohet në Ulpianë ku janë mbi 700 metra katrorë që disa prej bizneseve ushtrojnë afarizmin e tyre ne kemi ofruar të gjitha dëshmitë se kjo është pronë e Ministrisë së Bujqësisë dhe përkundër ofrimit të dëshmive nuk kemi marr asnjë veprim nga instancat e drejtësisë”, theksoi ai.

Mëngjesin e sotëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarët e komunave të Kosovës. Në takimin koordinues, kreu qeveritar, tha se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror.

Kjo, sipas tij, dëshmohet edhe me buxhetin 742 milionësh dedikuar komunave për vitin e ardhshëm, i cili tha se është 200 milionë euro më shumë se ish-qeveria e kaluar.

Back to top button