Pelosi: Solidariteti me 23 milionë banorët e Tajvanit, më i rëndësishëm se kurrë më parë
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Tajvanin, teksa ajo arriti në Tajpei.
Pelosi u mirëprit sot në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu dhe përfaqësuesja e lartë e SHBA-së në Tajvan, Sandra Oudkirk.
“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi.
Sipas saj, solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë.
Vizita e Pelosit në Tajpei ka përkeqësuar tensionet me Pekinin, që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të Kinës.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e dënoi ashpër vizitën e Pelosi-t në Tajvan, duke e cilësuar atë një “shkelje serioze të parimit Një Kinë” që do të ketë një “ndikim të rëndë” në themelin politik të marrëdhënieve Kinë-Shtete të Bashkuara të Amerikës./21Media