Për 11 muaj u dhunuan rreth 2 mijë e 200 gra

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë në orët e hershme të mëngjesit. Një burrë ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 63 vjeçare dhe më vonë i është dorëzuar policisë. Vrasja është cilësuar nga prokoruria si vrajse e rëndë dhe është kërkuar masa e paraburgimit për të dysharin.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është vrarë një arsimtare e shkollës dhe se duhet vënë drejtësi. Mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje kanë ndodhur që prej muajit janar të këtij viti. Vrasja ndodhi në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Policia e Kosovës tha se i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, një burrë 70 vjeçar u vetëdorëzua dhe po mbahet në qendrën e ndalimit. Ajo tha se vrasja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në një prej lagjeve në afërsi të qendrës së qytetit. Prokuroria e krimeve të rënda në Prishtinë tha se i dyshuari ka përdorur një mjet të fortë për të vrarë bashkëshorten e tij dhe se po bëhen veprime të koordinuara me Policinë e Kosovës për të përcaktuar rrethanat e vrasjes. I dyshuari për vrasje është një 70 vjeçar nga Prishtina pa precedente të mëhershme dhe fqinjët e kanë përshkruar familjen si të qetë e pa probleme. Mësohet se gruaja e vrarë ishte një mësimdhënëse e gjeografisë në një prej shkollave të qytetit.
“Nuk po mundem me besu, shumë njerëz të mirë si burri si gruja! Jam habitë që ka ndodhur as nuk po ha e as nuk po pi, jam tmerruar! E ka mbyt po thojnë kurrë nuk kisha besu…”, tha Sabrie Kataroshi, fqinje.
Rrjeti i grave të Kosovës kërkoi dënim maksimal ndaj të gjithë atyre që kryejnë krime ndaj grave. Sindikata e Bashkuar e Arsimit ndërkohë tha se si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e sindikatës. Ngjarja ndodhi në ditën ndëkrombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave dhe në kohën kur ka nisur në Kosovë një fushatë dy javëshe kundër dhunës në familje dhe në baza gjinore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri thirrje që të punohet në edukimin e vajzave dhe djemve sepse e ardhmja do të jetë e sigurt vetëm si të barabartë dhe pa dhunë. Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se duhet të vihet drejtësi. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë deri në këtë periudhë të vitit janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje nga të cilat pjesa dërrmuese e dhunës së burrave ndaj grave.
“…prej janarit deri tani i kemi pas rreth 2500 raste të raportuara dhe nga këto rreth 300 kanë qenë dhunë e grave ndaj burrave dhe në anën tjetër kanë qenë burrat ndaj grave pra fenomen është dhuna e burrave ndaj vajzave dhe grave dhe ky fenomen duhet të luftohet sikurse dhuna është e papranueshme ndaj kujt do qoftë”,
Një numër protestash janë organizuar në Kosovë kundër dhunës ndaj grave ndërkohë që organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore./21Media

Back to top button