Për çfarë u pajtuan Kurti dhe ambasadorët e QUINT-it në takim?

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë takim, sipas njoftimit, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.
“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, ka thënë Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka shtuar kryeministri.
Ai i ka njoftuar ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kurse Sveçla ka thënë se policët e Kosovës janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.
Ambasadorët dhe kryeministri u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë./21Media

Back to top button