Për dhunën e 27 prillit dëshmoi edhe kryetari i Kuvendit

Xhaferi ka thënë se pret që nga provat e prokurorisë të dyshuarit të marrin trajtimin adekuat

Sulmuesit që hyrën në pres qendrën e kuvendit kishin për qëllim rrezikimin e jetëve të deputetëve dhe gazetarëve, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili sot dha dëshmi në prokurorinë publike të Shkupit në lidhje me incidentet e 27 prillit. Ai pret që të dyshuarit, në bazë të provave, të marrin trajtim adekuat nga prokuroria për veprat penale që i kanë kryer.

Deputetja e LSDM-së Frosina Remenski në prokurori kaloi pothuajse dy orë. Ajo kërkoi nga prokuroria që t’i hetojë edhe – siç tha – personat nga institucione të ndryshme policore dhe ushtarake që morën pjesë në incident. Sipas saj, prapa veprës “pjesëmarrje në turmë” për të cilin prokuroria i ngarkon sulmuesit, fshihet tentativë për rrezikim të rendit kushtetutës të Maqedonisë, shkruan TV21.TV

“Të zhvillohet hetim për mbajtje të përgjegjësisë së të gjithë atyre që u përfshinë në lëshimet e masave preventive operative. Këta kanë pasur për detyrë t’i pengojnë dhe t’i parandalojnë këto sulme të organizuara në objektet vitale të Maqedonisë siç është Kuvendi, ta parandalojnë dhunën e organizuar dhe të motivuar politikisht si dhe ta parandalonin atentatin e pasuksesshëm ndaj kryeministrit të ardhshëm të Maqedonisë Zoran Zaev dhe vrasjen politike të Zijadin Selës i cili është kryetar partie”, tha Frosina Remenski.

Sot u prit që në prokurori të paraqitej edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së Vlladimir Gjorçev, por nga ky institucion thanë se me kërkesë të Gjorçevit, u vendos që dhënia e dëshmisë të shtyhet. Për ngjarjet e 27 prillit, dëshmi dha edhe Nikolla Todorov, i cili me sa duket, për t’i ikur ekipeve të gazetarëve, me gjasë në ndërtesën e prokurorisë ka hyrë përmes hyrjeve nëntokësore. Në incizimet e Kuvendit shihet se si Gjorçev dhe Todorov tentonin ta qetësonin turmën e cila hyri dhunshëm në organin ligjvënës./21Media

Back to top button