Për festë, deputetët e PDK-së në familjen e Thaçit
Sot, në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës vizituan familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra publikoi një imazh nga vizita në familjen e Thaçit, për të cilën u shpreh se mbetet simbol i Pavarësisë së Kosovës.
“Pavarësisht mallit, familja e kupton peshën e sakrificës së fundit në mbrojtjen e pastërtisë dhe vlerës së pashoq të luftës së UÇK-së.”, shkroi Deliu-Kodra në Facebook.

Edhe sivjet, Hashim Thaçin, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën dhe krerët e organizatës së OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, festa e Pavarësisë i gjeti larg vendit dhe familjes.
Ky është përvjetori i dytë që Thaçi dhe të tjerët e festojnë ditën e Pavarësisë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media