Për tre muaj afro 2 mijë e 500 shoferë mbetën pa patentë shoferë

Policia e Kosovës vetëm për tre muajt e parë të vitit (janar-mars), ka konfiskuar 2 mijë e 451 patentë shoferë nga personat që sipas tyre kanë shkelur rregullat e komunikacionit rrugor.
“Për muajin Janar-Mars të këtij viti iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik 2451 shoferëve”, ka thënë Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv.
Ndërsa, gjatë vitit 2021 iu është ndaluar drejtimi i automjeteve 7 mijë e 485 shoferëve.
Për konfiskimin e patentë shoferëve nga Policia e Kosovës pati inspektime e raporte me rekomandime nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Inspektorati Policor i Kosovës dy ditë më parë ka publikuar një raport ku ka konstatuar pas një inspektimi disa mujor se Policia e Kosovës më saktësisht zyrtarët policor po vazhdojnë të konfiskojnë patentë shoferë pa zbatuar në disa raste edhe rregullat mbi përjashtimet lidhur me marrjen apo konfiskimin e tyre në momentin kur kryhet kundërvajtja.
“Edhe vërtetimi që parashihet të lëshohet me rastin e konfiskimit të patentë shoferëve nuk përmban në vete dispozita që mbështetin konfiskimin e patentë shoferëve”, thuhet në raportin e IPK-së pas inspektimit.
Sipas IPK-së, Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor më saktësisht neni 248 tregon për pezullimin e dokumentacionit për drejtimin e automjetit ndërsa zyrtarët policor nuk i janë përmbajtur këtij ligji kur kanë bërë konfiskimin e patentë shoferëve.
“Këtë situatë e ka bërë konfuze edhe Udhëzimi Administrativ i MPB-së, në versionin e tanishëm dispozitat e të cilit vlerësohet se nuk janë konform frymës së legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në raport.
Lidhur me këtë raport të IPK-së, Policia i ka thënë portalit rtv21.tv po zbaton ligjin për rregullat e trafikut rrugor dhe aktet tjera nënligjore përfshirë edhe Udhëzimin Administrativ (MPB).
“Policia ka pranuar raportin me rekomandime. Policia i trajton rekomandimet e dhëna, respektivisht në fushën tek komentet janë dhënë komentet për secilin rekomandim (raporti është publik). Policia e Kosovës zbaton ligjin për rregullat e trafikut rrugor, ligjet tjera që bien nën domenin/fushën e policisë dhe aktet tjera nënligjore përfshirë edhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 15/2017 për procedurën e kundërvajtjes në trafikun rrugor”, ka thënë Policia./21Media

Back to top button