Kaloni te përmbajtja kryesore

Përfaqësues të lartë shtetëror shënuan Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve

Resurset pyjore të Kosovës në politikat institucionale janë vendosur si një prioritet kombëtar, të cilat janë edhe një potencial i madh për zhvillimin ekonomik të vendit. Përmes avancimit të politikave të duhura pyjore dhe realizmit të një sërë projektesh, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural së bashku edhe më partnerë vendor e ndërkombëtarë synon mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në gjithë territorin e Kosovës.

Kështu janë shprehur udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendore me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve në Parkun Nacional “Blinaja”, në Komunën e  Lipjanit.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë aktivitet, ka theksuar se duhet mobilizim institucional, por edhe shoqëror për ruajtjen e pyjeve në vendin tonë.

“Për rëndësinë e pyjeve jemi të vetëdijshëm secili që jemi këtu sot dhe më vjen mirë që këtu jemi me ftesë të Ministrit të Bujqësisë, i cili po tregon përkushtim që gjendja e pyjeve të ndryshojë rrënjësisht dhe po ashtu më vjen mirë që gjendemi edhe në mesin e miqve të pyjeve, duke përçuar kështu një mesazh të qartë rreth rëndësisë së bashkëpunimit dhe bashkërendimit institucional për ruajtjen e pyjeve”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, Faton Peci, ka treguar se së bashku me partnerë e bashkëpunëtorë ndërkombëtarë janë duke realizuar një sërë projektesh me qëllim të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, si dhe tregoi se kanë siguruar politika të duhura për ruajtjen e pyjeve.

“Sot shënojmë këtë ditë me suksese të shumta sepse deri më tani kemi krijuar politika të duhura në të mirë të ruajtjes së pyjeve si pasuri kombëtare e Kosovës. Kemi hartuar dhe miratuar Strategjinë për Pylltari 2022 – 2030, e cila adreson politikat kryesore të sektorit dhe zbatimin e tyre për 10 vitet e ardhshme, si dhe kemi avancuar agjendën legjislative duke përpiluar dhe miratuar në Qeveri – Ligjin për Pyje. Po ashtu, kemi themeluar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve”, ka thënë Ministri Peci.

Në shënimin e kësaj dite i pranishëm ishte edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili e ka vlerësuar edhe miratimin e Ligjit të Pyjeve, për çka tha se institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin për të punuar në sektorin e pylltarisë.

Në anën tjetër, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, theksoi rëndësinë që i kushtojnë qëndrueshmërisë së sektorit pyjor në Suedi dhe duke pasur parasysh këtë ajo tha se shteti i saj përmes aktiviteteve të ndryshme do të mbështesin fushën e pylltarisë në Kosovë.

Ndërkaq, Shefi i Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark me këtë rast ka dorëzuar një donacion për Agjencinë Pyjore të Kosovës, që përfshinte një automjet, si dhe pajisje të IT-së.

Në aktivitetin për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve morën pjesë edhe Ushtruesja e detyrës së Koordinatores për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, Maria Suokko,

Udhëheqësi vendor i Programit për Pylltari, FAO, Naser Krasniqi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e ndërkombëtare që e përkrahin këtë sektor./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button