Përfundon e qetë protesta në Rudarë të Zveçanit

(Lajm i përditësuar)
Ka përfunduar e qetë protesta në Rudarë të Zveçanit dhe protestuesit po fillojnë të shpërndahen.
Në protestë u tha mes tjerash se shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku ndër vite, andaj nuk është ndonjë problem të vazhdohet kjo bashkëjetesë edhe në të ardhmen. Por, problemi sipas tyre qëndron mes serbëve dhe qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti, për të cilin u tha se “po dëshiron t’i zhdukë serbët nga Kosova”.
Përveç kryetarit të Listës serbe, Goran Rakiç, kanë folur edhe kryetari i komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ish kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq etj.
Ata kërkuan lirimin e të arrestuarve Dejan Pantiq dhe të tjerët, pastaj tërheqjen e forcave policore nga veriu, si dhe anulimin e listës së arrestimeve me të dyshuar serbë.
Protestuesit serbë në Rudarë-Kurtit: Kosova nuk është e gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë
Qytetarë serbë nga veriu, vende të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, janë tubuar për protestën e paralajmëruar sot në Rudarë, kundër deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në lidhje me barrikadat e vendosura në atë pjesë të vendit.
Përveç flamujve serbë dhe pankartave me mbishkrime të ndryshme, bie në sy njëra parulla me dimensone të mëdha në të cilën shkruan në alfabetin cirilik ,”Kurti, Kosova nuk është e gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë”.
Vërehen qytetarë duke ardhur vazhdimisht në mënyrë të organizuar dhe nga vise të ndryshme, ndërsa protesta akoma nuk ka filluar zyrtarisht.

Serbët nisin të mblidhen në veri
Me vetura e autobusë janë duke u mbledhur serbët e veriut në Rudar ku pritet të mbahet protestë.
Protesta e cila është paralajmëruar të mbahet sot. Pritet të nis nga ora 12.Në veri ndërkaq ka forca të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Lidhur me protestën Policia e Kosovës thekson se angazhimet policore në forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.
“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në veri, ndërkohë, bëhet me dije se gjendja është e qetë por e tensionuar. Gjatë ditëve të kaluara janë shfaqur, por pa materiale në njerëz dhe pa dëmtuar. Mësohet se objektet e hotelerisë nuk janë zbuluar me orar të regjurojnë sikurse edhe mësimi në shkollat ​​fillore. Në shkollat ​​e mesme nxënësit e vijojnë mësimin online. Një numër i madh i patrullave policore janë në zonat multietnike dhe KFOR-i gjithashtu patrullon në qytetin e Mitrovicës në veri. Pjesëtarët e Kosovës kanë një pikë kontrolli në afërsi të qytetit të Bistrikës, pranë Banjskës.
Serbët protestojnë në barrikada të vendosura prej afro dy javësh
I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zvecanit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.
Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj..
Pa dyshim, në këtë protestë nuk do të mungojnë as numër i madh i grupeve të cilat kanë hyrë më herët në Kosovë, e që vijnë nga Serbia, Bosnja, Rusia e vendet tjera, dhe të cilat shihen nëpër barrikada të armatosura dhe me maska.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare ditë më parë, pati thënë se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, duke folur rreth situatës më të re të krijuar në veri të Kosovës, tha se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme.

Back to top button