Përfundon ëndrra e filmit “Zgjoi” për Oscar

 
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit nuk është nominuar për “Oscar” në kateogorinë e “Filmit më të mirë ndërkombëtar”.
“Zgjoi” ishte në listën e ngushtë për nominim.
Filmi” Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh.
Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit.
Zonja Fahrije e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, e gjendur në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për tu zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Ky fakt e ka detyruar atë që përveç luftës për të mbajtur familjen, të ketë edhe një luftë tjetër, atë ndaj paragjykimeve nga komuniteti armiqësor ndaj saj…
Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni etj.
Rrëfimi i sjellë përmesë këtij filmi nga regjisorja Blerta Basholli ra në sy të profesionistëve ndërkombëtar dhe u vlerësua nga festivalet më prestigjioze botërore të kinematografisë.
Çmimet e para me të cilat u vlerësua ky film, treguan për potencialin e tij. Premiera ndërkombëtare në festivalin prestigjioz  “Sundance” i solli këtij filmi tre çmimet kryesore të festivalit: Çmimin e madh të jurisë së festivalit, çmimin për regjinë më të mirë dhe çmimin e publikut.
“Zgjoi” u vlerësua si filmi më i mirë edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit në Varshavë.
Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hamburg, “Zgjoi” mori çmimin e të rinjëve të talentuar NDR.
Në festivalin e filmit në Sarajevë, filmi “Zgjoi” u shpërblye me çmimin “Fischer”.
Festivali spanjoll “Seminci” ka bërë të ditur fituesit në kategoritë kryesore. Aktorja Yllka Gashi ka marrë çmimin për aktoren me të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit. E “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit në këtë festival ka fituar edhe Çmimin “Fundos”.
Në Festivalin ndërkombëtar të filmit që mbahet në Tetovë të Maqedonisë së Veriut “Zgjoi” u vlerësua si filmi më i mirë ballkanik.
“Zgjoi” u vlerësua edhe në vend. Në “PriFilmFest” ky film u vlerësua si filmi më i mirë i festivalit.
Për këtë film çmimet ishin të shumta, rreth 21 sosh. “Zgjoi” u përzgjodh në mesin e 40 filmave më të mirë evropian për përzgjedhje për filmin më të mirë evropian me metrazhë të gjatë në Akademinë Evropiane të Filmit.
Filmin “Zgjoi”, presidentja e Republikës së Kosovës e ka përmendur edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.
Filmin “Zgjoi” e mbështeti edhe ylli shqiptar në arenën ndërkombëtare, Dua Lipa. Ajo përveq postimeve në profilet e saj në rrjetet sociale të ndjekura nga miliona njerëz nga anë e kënd bota, ishte prezente edhe me rastin e shfaqjes speciale të këtij filmi në Ëashington DC.
Por, ky film u vlerësua edhe nga publiku kudo që u shfaq. Kishte rekord shikueshmërie në Kosovë. Gjatë vitit 2021 ishte filmi që ka shitur më së shumti bileta në të gjitha kategoritë. Interesim të jashtëzakonshëm për këtë film kishte edhe në Zvicër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jeruzalem, Finlandë, Spanjë, Meksiko, Poloni, Gjermani, Itali, Francë, Kroaci etj.
Tri herë fituesi i Festivalit të Sundance ‘Zgjoi’, u propozua nga Kosova si kandidati i saj zyrtar për garën e Oscars. Gjithë ky rrugëtim u mbështet fuqishëm nga të gjithë shqiptarët. Ethet për ekipën e filmit u shtuan më 21 dhjetor, kur u bë e ditur lista e ngushtë e filmave kandidat për nominim për filmin më të mirë ndërkombëtar në OSCARS. Në mesin 15 filmave në këtë listë, kishte filma nga regjisor të shumtë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Aty ishte edhe “Zgjoi” që priste dritën e gjelbër nga anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit, mirëpo ëndrra e filmit “Zgjoi” për Oscar përfundoi./21Media

Back to top button